Politike

Rama në Librazhd: PD do të vazhdojë të humbë

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Librazhd në turin e takimeve “Bashkia që duam” ku ka folur për investimet e bëra në këtë rreth.
Nga Librazhdi, kreu i qeverisë deklaroi se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që dogjën mandatin do të pësojnë fatin e partisë italiane që në vitet ’20 bëri të njëjtin veprim.
Sipas Ramës, Basha dhe Kryemadhi sipas tij do marrin vetëm “Noc Rrokun” në zgjedhje.
“Në 30 qershor do t’i mundim më thellë seç i mundëm më parë, po s’ka demokrat të arsyeshëm që të thotë se në këto vite PD është bërë më e fortë dhe kryetari i PD-së, është bërë më i zoti?
Ne i kemi mundur dhe do t’i mundim prapë, ata zgjodhën të bëjnë diçka që s’e ka bërë askush, e bëri një parti në vitet ’20 në Itali. Por ashtu do shkrihen dhe ata, sepse zgjodhën të tradhtojnë popullin që i votoi ata. Dhe çfarë bëjnë tani dogjën mandatet, futen mes turmës dhe i thonë popullit se ne jemi si ju. Digjni parlamentin, hyni në burg për ne. Noc Rrokun do marrësh Lul, jo pushtetin. Se kush do marr Nocin se kush do marr Rrokun ndaje me Monikën Lul”, u shpreh Rama nga Librazhdi.
Kryeministri tha se socialistët e kanë provuar ndershmërinë e fitores edhe kur ka qenë në pushtet Sali Berisha si kryeministër. Madje radhiti fitoret e Vangjush Dakos ndër vite në Bashkinë e Durrësit, kur qeverinë e kishte Berisha. “Kur kemi mundur Berishën – tha kryeministri – nuk do ia dalim dot me Lulin?!”.
“Ne i kemi mundur ata kur kishin Saliun dhe kishin edhe shtetin. A ka demokrat të thotë se ishte më e lehtë të mundësh Saliun sesa Lulin me fallxhoren që ka në krah”, u shpreh Rama.
Po ashtu kryeministri shtoi se “parlamenti tanimë është shumë më normal sepse nuk vijnë deputetët në parlament me vezë e bojë nëpër xhepa”.
Kreu i qeverisë tha se do merren masa të reja në Kodin Penal për lojërat e fatit dhe se organizuesit e bixhozit do futen në burg.
“Të gjitha pikat janë kthyer në biznese të vogla, bare, lokale. E di që ka akoma probleme me ata që lozin online dhe organizojnë lojëra. Këtë problem e ka gjithë bota.
Ka ardhur koha të marrim disa masa të reja në Kodin Penal, që po i përgatisim dhe janë të domosdoshme. Kush organizon bixhoz, të shkojë në burg”, tha kreu i qeverisë.
Një problem tjetër që ka përmendur kryeministri është ndezja e zjarreve, për të cilin tha se do të vendosen sanksione të forta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë