Ndërkohë që jashtë protestuesit të shtyrë edhe nga thirrjet e ish-deputetëve të opozitës kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, brenda në godinën e Parlamentit ka mbajtur fjalën kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë foli për sistemin zgjedhor, duke thënë se Kuvendi ka një përfaqësim të larmishëm që i përshtatet zhvillimit që vendi ka marrë, pavarësisht se parlamenti po vijon të jetë në shënjestër të opozitarëve.
“Parlamenti është vendosur në shënjestër, është baltosur, por e vërteta është se gjithë ajo baltë ishte thjesht një propagandë.
Sot kemi një parlament që ka një përfaqësim të larmishëm dhe që nuk do ta kishim kurrë me sistemin e kaluar”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri foli edhe për protestën, duke e cilësuar si absurd vendimin e tyre të daljes nga parlamenti.
“Sot përsëri jemi në një të enjte, është interesante, është e mërkurë në fakt. Ata që dolën nga parlamenti, janë aty te dera. Ikën vetë tani shtyjnë policët që të futen prapë.
Absurdi në këtë situatë është pse dolën nga parlamenti. Iu mbaruan vezët dhe boja dhe dolën në rrugë, duke marrë zvarrë edhe axhendën europiane të Shqipërisë. Nuk do u japim më mundësi të futen në lojë”, theksoi kreu i qeverisë.
Kryeministri u shpreh i sigurt në fitore në zgjedhje, duke vënë në pah kohën kur Partia Socialiste ka mundur edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Ne që mundëm Saliun me Jozefinën, jo më Lulin me Gaz Salianjin dhe Ervin Dumën? Ne e mundëm kur Saliu kishte shtetin, do të blejmë vota për të mundur Bashën? Opozita vetëm nxin Shqipërinë sepse është në opozitë dhe nuk fiton dot përballë nesh. Ata gjejnë vetëm justifikime, duke bërë sikur ne jemi problemi pse nuk mbahen zgjedhje të drejta. E vërteta është se ata nuk na mundin dot”, tha Rama.
Ai foli edhe për reformën zgjedhore. “Sa i përket reformës zgjedhore, jemi totalisht dakord me rekomandimet që jep OSBE-ODIHR. Patjetër që mund të ketë probleme, por do bëjmë më të mirën. Nuk është shpikur ende një sistem zgjedhor, që t’ia japë Bashës pushtetin në tavolinë”, tha Rama.
Hajdari: PS bën sikur ia shtrin dorën PD-së
Rudina Hajdari e ka quajtur të turpshme ftesën që Damjan Gjiknuri i bëri ish-opozitës, kur tashmë në Kuvend, kanë ardhur deputetë të rinj që kanë zëvendësuar ata që dogji mandatet. Hajdari tha se duhet dëgjuar zëri i tyre sa u përket ndryshimeve të mundshme në Kodin Zgjedhor.
“Ata deputetë që ishin sot nuk janë më, dhe ju e keni bërë marrëveshjen me ta, jo me ne. Me këtë parlament që është sot, erdhi si erdhi puna tanimë i përket të shkuarës, dhe duhet të bëjmë të pamundurën. Deklaratat e zotit Gjiknuri ishin shëmbëlltyra më e keqe se çfarë ndodh në këtë sistem. Zoti Gjiknuri pa pikë turpi, jashtë Kushtetutës, i shtriu dorën opozitës dhe tha: Do bëheni pjesë në komisionin e reformës zgjedhore. Ky komision duhet të mbyllet, duhet të merren parasysh këta deputetë që kanë ardhur nga një listë e caktuar dhe ju duhet të shpalosni idetë tuaja, për sa i përket sistemit zgjedhor ”, u shpreh Hajdari.
Balla: Partitë që nuk hyjnë në zgjedhje, s’janë më parti
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar me deputeten demokrate lidhur me propozimet e saj për ndryshimet ne Reformën Zgjedhore.
“Pastërtia dhe transparenca e financimit të partive politike është thembra e Akilit. Është një alarm i madh se si ligji i financimit të partive politike në Shqipëri nuk funksionon si rrjetë për shkelësit e ligjit. Duhet të ngremë një ligj të ri.
Ata që numërojnë duhet të jenë një trup vullnetarësh. Një student apo një studente është tërësisht më e pastër se sa kushdo tjetër. Ia kam kërkuar kolegëve opozitarë që në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndryshimet në kod nuk mund të jenë të implementueshme për zgjedhjet e 30 qershorit. Duhet të vijojë puna me përpikëri. Partitë opozitare kanë detyrimin të plotësojnë vendet në KZAZ. Një parti që nuk hyn në zgjedhje nuk është më parti. Ky parlament është legjitim”, u shpreh Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje