Kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se shteti shqiptar në vetëm 5 vite është detyruar të paguajë 102 milionë euro për largimet partiake nga puna.
Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se këto para përdoren për ndërtimin e një administrate të korruptuar.
“Vetëm për largime të padrejta, partiake, pa rregull, pa ligj, shteti shqiptar detyrohet të paguajë vetëm në 5 vite, 102 milionë euro. Këto para që janë as më shumë e as më pak se sa 3 spitale të reja, janë minimumi 20 shkolla të reja, janë minimumi disa dhjetëra mijëra qytetarë që mund të marrin barna për të cilat paguajnë lekun e fundit nga xhepi apo hyjnë borxh lart e poshtë apo të gjithë familjarët mblidhen me solidaritet për t’i mbajtur gjallë.
Ikin dhe shkojnë pikërisht për kapriçot e pushtetit dhe për të ndërtuar një administratë të korruptuar, të paaftë, ineficente dhe armike të qytetarit. Vetëm në vitin 2018, nga janari deri në dhjetor janë shpenzuar 13.8 milionë dollarë”, u shpreh Vasili.
Vasili shtoi se 32 milionë euro të financuara nga Bashkimi Europian për administratën publike janë bërë ‘rrush e kumbulla’.
“Bashkimi Europian ka financuar plot 32 milionë euro për administratën publike dhe konsolidimin e saj. Pra, 32 milionë euro nga taksapaguesit europianë kanë ardhur në Shqipëri që Shqipëria të kishte një administratë efiçente, të pakorruptuar dhe profesionale, në mënyrë që qytetarëve në të gjitha nivelet ku ata marrin shërbime, që nga zyrat e shtetit, përfshirë këtu edhe elementët e tjera që përbëjnë jetën shoqërore të vendit, të shërbeheshin mirë, dhe jo vetëm në mënyrë profesionale, por edhe të pa korruptuar.
32 milionë euro të Bashkimit Europian po them që janë bërë thjesht dhe vetëm rrush e kumbulla. Janë rrëmbyer nga administrata e Edi Ramës nëpërmjet projekteve dhe programeve”, tha ndër të tjera Vasili.
Vasili thekson se tani është koha për ta ndalur këtë qeveri dhe këtë administratë të korruptuar.
“Koha për t’i ndalur është sot dhe çdo qytetar duhet të marrë patjetër lapsin në dorë e të kuptojë që në mënyrë të përditshme nga buka dhe nga djersa e tij paguan këtë hajdutëri dhe këtë administratë që nuk i shërben po vetëm e shqetëson, e zemëron dhe e mërzit. Duhet të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të kthehet përfundimisht në shtëpinë e shqiptarëve”, përfundoi Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje