Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat akuzoi kryeministrin Rama se mashtroi për rritjen e pagave në 1 prill të rreth 60 mijë mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe ushtarakëve.
“Edi Rama mashtroi për rritjen e pagave në 1 prill të rreth 60 mijë mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe ushtarakëve.
Sot jemi më 4 prill. Në telefonin tim janë me qindra mesazhe të mësuesve, mjekëve dhe infermierëve që shprehin revoltën e tyre për mosmbajtjen e premtimit nga Edi Rama. Partia Demokratike e di shumë mirë se qeveria po fsheh gjendjen e vërtetë të financave të shtetit, se kontrabanda dhe korrupsioni në dogana e tatime gëlojnë dhe në arkë nuk ka para mjaftueshëm, sepse muaji mars është mbyllur me minus, por rreth 60 mijë mësues, mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, ushtarakë dhe familjet e tyre, nuk kanë pse të vuajnë pasojat e korrupsionit galopant të qeverisë së Edi Ramës”, shprehet Vokshi.
Sipas Vokshit, Rama duhet të miratojë menjëherë një vendim qeverie me fuqi prapavepruese për përfitimin e rritjes që nga 1 prilli.
“Paga e mësuesve duhet të rritet pa vonesë dhe jo të pritet afrimi i zgjedhjeve. Zgjidhja është e thjeshtë: qeveria të nxjerrë menjëherë një vendim me fuqi prapavepruese, në mënyre që rritja modeste të përfitohet që prej datës 1 prill dhe asnjë ditë më vonë”, tha ndër të tjera ish-deputetja Vokshi.
Vokshi thotë se e vetmja alternativë e besueshme është Partia Demokratike, pasi ka vullnet politik për ta nxjerrë sistemin arsimor dhe shëndetësor nga kriza.
“Mësuesit, kanë vetëm një alternativë të besueshme. Ajo është Partia Demokratike. Ne e kemi të qartë vizionin tone dhe kemi vullnetin politik për ta zbatuar atë: Mbështetje financiare për arsimin, shpërblim dhe rritje e pagave për mësuesit, investim për infrastrukturë moderne, subvencionim për tarifat e studentëve, stazh të paguar për 10 mijë studentë çdo vit.
Partia Demokratike ka të gjithë vullnetin për ta nxjerrë sistemin arsimor nga kriza dhe për të shkuar me vendosmëri drejt zhvillimit”, përfundoi Vokshi.
Menjëherë pas deklaratës së Vokshit, ka reaguar ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali.
Ajo thotë se pagat janë rritur, por i kujton Partisë Demokratike se pagat e prillit paguhen në maj. Spiropali nuk kursen edhe ironinë, ndërsa shprehet se dalja nga parlamenti u ka shkaktuar probleme serioze edhe në njohuritë për institucionet shtetërore.
“I kujtojmë Partisë Demokratike që pagat e muajit prill paguhen në mj kur dhe do të jetë e reflektuar rritja për mësues e mjekë. Si duket, dalja nga Parlamenti shkaktoka probleme serioze edhe me njohuritë mbi institucionet e tjera shtetërore”, shkruan Spiropali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje