Më shumë se 200 operatorë turistikë u mblodhën në Edicionin e Tretë të Panairit të Turizmit, më 5-6 prill në mjediset e Expocity në Tiranë. Këtë vit për herë të parë pati edhe një tur operator nga Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, për shkak të interesit të madh për Shqipërinë dhe rajonin në përgjithësi.
Ky panair që u organizua nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit ka në fokus nxitjen e bashkëpunimit dhe promovimin e bukurive shqiptare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e ka cilësuar panairin jo vetëm një mundësi shumë të mirë për promovim, por edhe për tregun e punës në këtë sektor.
“Panairi Ndërkombëtar i Turizmit është një mundësi e mirë jo vetëm për të promovuar bukuritë natyrore të Shqipërisë, por dhe për të theksuar se krah treguesve pozitive financiarë të industrisë së turizmit dhe numrit në rritje të turistëve në vendin tonë nuk mund të konceptohen pa zhvillimin e burimeve të kualifikuara njerëzore. Fakt është se për vitin 2018, janë deklaruar në Zyrat e Punës rreth 4900 vende të lira pune vetëm në fushën e turizmit, ndërkohë që plotësimi i këtyre vendeve ështe realizuar në masën 50%, çka tregon se tregu ka qartazi nevojë për individë të kualifikuar”, thotë ministrja Denaj.
Sipas saj, për ta mbajtur sa më vital këtë sektor, qeveria ka investuar në rikonstruksionin e shkollave profesionale.
“Duke e konsideruar arsimin dhe formimin profesional si drejtimin kryesor të zhvillimit drejt integrimit në tregun e punës, gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe me donatorët ka investuar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e mbi 20 shkollave profesionale. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur këtë sektor vital të ekonomisë”, shprehet Denaj.
Ndërsa, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ka parë një modesti në ecurinë e panairit, pasi sipas tij organizatorët nuk treguan serioziteti dhe përkushtimin e duhur në një event kaq të rëndësishëm.
“Shpresuam që këtë vit panairi i turizmit, i cili u zhvillua më 5 -6 prill 2019 në Expocity, do ishte vitrina më e mirë për të promovuar potencialin turistik të Shqipërisë, por ndryshe nga vitet e mëparshme, ky edicion ishte thellësisht për të dëshiruar.
Institucionet përgjegjëse nuk treguan seriozitetin dhe përkushtimin e duhur në organizimin e këtij eventi kaq të rëndësishëm për turizmin, nuk u vlerësuan aspak bizneset e turizmit, të cilët kanë meritën kryesore për atë çfarë turizmi shqiptar ka arritur, ato u ndjenë të pavlerësuar dhe të papërfillur nga organizatorët. Ky biznes në vend që të inkurajohet, po nënvlerësohet dhe me sa duket interesi kryesor i autoritetve përgjegjëse janë vetëm statistikat, duartrokitjet dhe show-et para mediave, se sa problemet dhe sfidat me të cilat ai po përballet”, shprehet Kasa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










Lini një Përgjigje