Politike

Rikthimi i vizave, Parlamenti holandez voton në 16 prill

Fuqizimi i mafies shqiptare në Amsterdam dhe rritja e numrit të emigrantëve nga Shqipëria, ka bërë që Holanda të konsiderojë rivendosjen e vizave më vendin tonë, një vendim që do të rezultonte katastrofal për hapjen e negociatave me BE-në.

Shumica e deputetëve në parlamentin holandez i kanë bërë presion qeverisë me anë të një mocioni të paraqitur të enjten (dje) që të këmbëngulë në Bruksel për rikthimin e vizave për vendin tonë, pasi sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për të luftuar bandat kriminale shqiptare.

Pavarësisht spekulimeve në media, parlamenti holandez nuk ka marrë ende një vendim mbi mocionin për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Kjo konfirmohet nga zyra e shtypit e “Staten General”, që është Dhoma e Përfaqësuesve e ligjvënësve holandezë.

Gazeta “Si” kontaktoi këtë zyrë për të marrë një përgjigje mbi lajmin e përhapur në Tiranë, që thotë se deputetët holandezë kanë vendosur rikthimin e vizave për shqiptarët, një kërkesë e paraqitur nga tre grupe parlamentare. Në përgjigjen e marrë sqarohet se nuk ka ende një vendim konkret, por se deputetët po diskutojnë mbi këtë temë.

“Dje (të enjten), pati një debat mbi një mocion të paraqitur për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Parlamenti do të votojë për këto propozime ditën e martë, më 16 prill”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Shtypit të Parlamentit holandez për Gazeta Si. Mocioni për rivendosjen e vizave me vendin tonë u paraqit nga partitë VVD, PVV, CDA, PS dhe Bashkimi i krishterë.
Grupet parlamentare i bënë thirrje ministrit të Jashtëm holandez, Steff Blok ta ngrejë këtë çështje në Bruskel, për të iniciuar një procedurë të frenimit emergjent të emigrantëve nga Shqipëria.

Sipas mediave holandeze, Amsterdami dëshiron t’i dërgojë një sinjal të qartë Tiranës zyrtare: kriminelët nga Shqipëria nuk janë të mirëpritur në Holandë. “Për më tepër, kjo mase duhet të inkurajojë vendin ballkanik që të luftojë kriminelët e vendit të saj”, shkruan gazeta “Telegraaf”. Ajo thekson se nuk dihet nëse qeveria do të mund ta injorojë një mocion të tillë, pasi përmban firmën e tre prej katër partive qeveritare.

Kryeminisatrat Edi Rama dhe Mark Rutte

Çfarë u diskutua në parlamentin holandez?

Edhe pse nuk dihet ende nëse procedura e frenimit të emergjencës do të rezultojë me një kërkesë zyrtare për heqjen e vizave, pasi një kërkesë e tillë duhet të marrë mbështetjen e vendeve të tjera të BE, këto raporte janë një “dush i ftohtë” për përpjekjet e anëtarësimit në BE.

Lajmi i mirë është se vetë ministri Blok e quan paraprakisht këtë kërkesën si të pamundur, duke thënë se vendet e tjera europiane nuk do të pajtohen me Holandën.

Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Grapperhaus gjithashtu tha se kjo kërkesë nuk ka gjasa të miratohet nga Brukseli, madje sipas tij një vendim i tillë do të ishte drastik, por aspak efektiv, pasi sipas tij, “mafia nuk ka nevojë për vizë që të hyjë në Holandë”.

Sipas mediave holandeze, policia dhe gjyqësori po kërkojnë rivendosjen e vizave me Shqipërinë pas 9 vitesh, nën arsyetimin se bandat shqiptarë luajnë një rol kyç në trafikimin e drogës dhe pastrimit të parave në Holandë.

Stef Blok

Ministri holandez i drejtësisë e pranon se vendi i tij ka një problem serioz me bandat shqiptare. Sipas tij, Shqipëria sapo ka premtuar të marrë pjesë aktive në zbulimin dhe luftimin e këtyre bandave. Por ky arsyetim nuk e ka bindur parlamenti holandez, pasi partitë opozitare e kanë kthyer këtë çështje në kryefjalën e fjalimeve të tyre.

Deputetja e partisë PVV-së, Sietse Fritsma, deklaroi se heqja e vizave me Shqipërinë kishte çuar në rritjen e krimit në Holandë, duke treguar gjatë debatit parlamentar shifrat e shqiptarëve të arrestuar.

“Pas heqjes së vizave në vitin 2010, numri i kriminelëve të arrestuat shqiptarë arriti në 720 në 2016-ën dhe 440 në vitin 2017. Pra, të paktën që nga heqja e vizave numri i shqiptarëve të arrestuar është rritur me të paktën pesë herë,” tha Fritsma. “Si mund të pohojë qeveria se nuk ka lidhje?”

Blok u përgjigj se Shqipëria i plotëson kërkesat që u vendosën për heqjen e vizave dhe se Komisioni Europian nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje. Këto kushte përfshijnë marrjen e masave adekuate kundër korrupsionit dhe parandalimit të krimit ndërkufitar. Megjithatë, sipas ministrit, edhe vetë Komisioni e pranon se Shqipëria ka shumë për të përmirësuar sa i përket kushteve të liberalizimit të vizave.

Megjithatë, deputetja Madeleine Van Toorenburg këmbënguli se Holanda duhet të dalë përballë Bashkimit Europian dhe të kërkojë me zë ta lartë rivendosjen e vizave. “Mendoj se duhet të aplikojmë procedurën e frenimit të emergjencës “, tha Van Toorenburg. “Organizatat kriminale shqiptare po përfitojnë nga mundësia për të udhëtuar pa viza përmes Europës dhe për rrjedhojë të zgjerojnë rrjetin e tyre të veprimit,” deklaroi deputetja.

Mafia shqiptare në Holandë

Por përse u kthye mafia shqiptare në kryefjalën e parlamentit holandez dhe sa serioz është ky problem në Holandë?

Në fakt, i pari që ka kërkuar rivendosjen e vizave me Shqipërinë ishte Departamenti i Policisë në vitin 2017. Sikur të mos mjaftonte kjo, përgjatë muajve të fundit, Policia holandeze ka ngritur shqetësimin se sheh se bandat shqiptarët po blejnë tonelata kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete të fuqishme shpërndarjeje nga Holanda në vende të tjera europiane.

Në vitin 2017, Departamenti i Hetimeve penale, gjyqësori, Bashkia e Amsterdamit dhe autoritetet tatimore ndërmorën një hetim të përbashkët për numrin e shqiptarëve që janë të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë. Atë vit, autoritetet holandeze arrestuan 499 të dyshuar shqiptarë, ndërsa në vitin 2018 u prangosën 476.

Parlamenti hollandez

Numri i kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarët u rrit ndjeshëm në vitet 2015 dhe 2016, me më shumë se 1300 aplikantë në vit. Në vitin 2018 janë dorëzuar 550 aplikime, por sipas mediave holandeze shumica e kriminelëve shqiptarë nuk janë të njohur për autoritetet, sepse nuk janë të regjistruar në Holandë.

Operacioni i fundit kundër mafies shqiptare në Holandë përfshiu rreth 600 oficerë dhe çoi në arrestimin e 64 anëtarëve të një rrjeti kriminal shqiptar. Operacioni i mbështetur nga Europol u organizuar më 5 prill dhe u zgjerua edhe në Belgjikë, Francë dhe Itali. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik drogë, trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.

Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Në 2017-ën, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv për një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare, duke arrestuar 7 të dyshuar. Falë një bashkëpunimi me autoritetet italiane, u vëzhguan rreth 100 të dyshuar shqiptarë, të cilët u kapën me armë zjarri, granata, dhjetëra kilogramë kokainë dhe marihuanë.

Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut europian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare në Holandë trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Europën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe.

Për shembull grupi i arrestuar operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë. Anëtarët organizatave shqiptare banojnë në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime.

Sipas mediave holandeze, bandat shqiptare filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se jo vetëm shqiptarët punojnë me Ndrangheta-n, por se ata kanë formuar aleancat më të forta edhe me organizatat vendase, të cilat i konsiderojnë si të barabartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë