Anglia gjendet përballë “Brexit”, por ndryshon krejtësisht puna në futboll, ku sporti më popullor është dominant në vendin e tij të lindjes. Nëse nga njëra anë Anglia ekonomike dhe politike po organizon daljen nga Europa, futbolli ka rrëmbyer skenën, duke shkuar me 4 skuadra nga 8 që janë gjithësej në fazën gjysmëfinale të Champions dhe Europa League. Liverpuli, Totenhemi, Arsenali dhe Çelsi mund të bëjnë që të kemi dy finale me të njëjtën gjuhë, pikërisht gjuhën angleze. Nuk ndodhte kështu që prej 35 vitesh dhe ëndrra është për të ndalur dominimin spanjoll të viteve të fundit.
Gjithçka është meritë e Premier League, kampionatit anglez, meritë e një futbolli spektakolar, ku qëllimi është për të sulmuar dhe jo për t’u mbrojtur. Mjafton të shohim rezultatin e njërës prej çerekfinaleve të Championsit, Mançester Siti-Totenhem, që përfundoi 4-3. Meritë e të ardhurave të shumta të klubeve nga e drejta televizive. Spektakli në Angli është i garantuar gjithë sezonin dhe jo me copa, siç ndodh në Itali, ku edhe oferta është e ndryshme. Problem mentalitetesh dhe faturash, që për kampionate të tjera janë shumë të shtrenjta.
Tani skena, pas vitesh të vështira me Barcelonën dhe Ralin, është sërish e tyre. Është Liverpuli që pas finales së humbur të sezonit të kaluar ndaj Realit, beson se mund t’ia dalë, duke sfiduar Barcelonën këtë herë. Është edhe Totenhemi, që pa kapitenin Kejn, duhet t’i bëjë llogaritë me djemtë e tmerrshëm të Ajaksit. Në Angli besojnë shumë për një derbi në finale, 11 vite pas Mançester Junajtid-Çelsi të Moskës.

Edhe në Europa League muzika nuk ndryshon. Këtu kemi Çelsin dhe Arsenalin, që gjithashtu mund ta bëjnë finalen e këtij kompeticioni një derbi. Arsenali eliminoi Napolin dhe ndeshet me Valencian në gjysmëfinale, kurse Çelsi me Eintraht Frankfurt. Futbolli është kthyer në shtëpinë e tij, në Angli, ku shpresojnë të fitojnë të dy trofetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje