Futboll

“Italian mu**”, polemika në Angli për sulmin ndaj Sarrit nga stoli mik

Polemika në fundin e ndeshjes Çelsi-Bërnli, që me siguri nuk kanë përfunduar aty. Barazimi 2-2 ka komplikuar situatën e Çelsit për në Champions dhe nervozizmi ishte i madh te londinezët. Trajneri Mauricio Sarri u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes, pasi kaloi zonën e përcaktuar me rregullore, nuk u paraqit në konferencën për shtyp, ndërkohë që ndaj tij ka pasur edhe një sulm verbal nga stoli i ekipit mik, që e ka quajtur “italian mu**”.

“Sarri është shumë i frustruar për atë që ndodhi. Gjatë ndeshjes adrenalina të bën të thuash fjalë që nuk do të doje t’i thoshe”, – është shprehur zëvendëstrajneri i Çelsit, Xhanfranko Xola. I gjithë ky nervozizëm vjen për faktin se për blutë e Londrës është vështirësuar gjithçka në rrugën për të zënë një vend në Champions. Kanë mbetur edhe tri ndeshje, me Mançester Junajtid, Uatford dhe Leiçester, për ta arritur këtë objektiv. Në të kundërt, Çelsi duhet të fitojë Europa League që të mos mbetet jashtë skenës më të rëndësishme të futbollit europian për të dytin vit radhazi.

Sarri në momentin e ndëshkimit me karton të kuq

Trajneri Sarri protestoi për një karton ndaj mesfushorit Kovaçiç dhe në atë moment kaloi jashtë zonës së lejuar para stolit të tij. “Sarri u ndëshkua me karton të kuq dhe besoj se është ofenduar nga stoli i Bërnlit, kështu që mendoi se është më mirë të mos fliste. Mendoj se i është thënë diçka nga stoli i ekipit mik dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Janë situata që kanë pasoja. E dimë që adrenalina sjell shakara të pakëndshme, por nuk është mirë që të ketë fyerje”, – ka shtuar Xola. Pritet që Federata Angleze të hapë një hetim për sulmin diskriminues ndaj Sarrit. Në të tilla raste ka dënime deri në 5 javë skualifikim.

Viti i parë në Angli nuk ka shkruar si duhet për trajnerin e Çelsit, pavarësisht atij fillimi të mirë. Londinezët humbën shumë terren dhe trajnerin italian nuk e duan as tifozët e Çelsit, të cilët po e kontestojnë fuqishëm javët e fundit. Tani vjen edhe sulmi diskriminues nga kolegët. Një çështje më vete për trajnerin është edhe ajo e sulmuesit Gonzalo Higuain, i cili nuk e ka pritur mirë ndërrimin dhe e ka shfaqur hapur nervozizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë