Lacio i Igli Tares dhe Tomas Strakoshës është ekipi i parë finalist i Kupës së Italisë. Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në “Olimpico”, Lacio ka fituar 0-1 në “San Siro” dhe e ka merituar plotësisht kualifikimin, sipas shtypit italian. Goli i argjentinasit Korrea në pjesën e dytë i ka shërbyer skuadrës së Strakoshës për të kaluar në finale. Një gol i shënuar me shumë zgjuarsi nga Korrea, pas pasimit të Imobiles.
Tomas Strakosha luajti 90 minuta, si zakonisht, duke qenë një garanci për Lacion në prapavijë, bashkë më shokët e mbrojtjes. Milani luajti një ndeshje të dobët, rrezikoi pak në sulm dhe humbi kështu shansin për të fituar një trofe këtë sezon. Suso ishte krejtësisht në hije, ndërsa Piatek e preku vetëm një herë topin brenda zonës kundërshtare, një rekord negativ ky për sulmuesin polak të kuqezinjve. Bastos, Lukas Leiva dhe Korrea ishin tre lojtarët më të mirë në fushë për Lacion, që është shumë pranë trofeut të Kupës së Italisë dhe që do t’i mundësonte edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Gjasat janë të mëdha që në finale të kemi një derbi shqiptarësh. Kundërshtari i Lacios mund të jetë Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit, që ndeshet të enjten në mbrëmje me Fiorentinën. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim 3-3 dhe ky rezultat favorizon Atalantën, që për më tepër do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të saj. Kjo është hera e 10-të që Lacio shkon në finale e Kupës së Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje