I ndjeri Tito Vilanova është pa dyshim një nga njerëzit që ka lënë gjurmë në stafin teknik të Barcelonës. Së fundi është zbuluar edhe një episod mjaft interesant, që ka të bëjë me të dhe Lionel Mesin. Pak ditë para se të ndërronte jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Guardiolës, në atë kohë trajner i katalanasve, ishte vendimtar për qëndrimin e yllit argjentinas.
Kanë kaluar tashmë 5 vjet nga ndarja nga jeta e Tito Vilanovës. Ai vdiq më 25 prill të 2014-ës, për shkak të një tumori. Me katalanasit fitoi titullin në vitin 2013, që për të ishte i ndarë mes fushës dhe kurave për sëmundjen e rëndë, që më pas i mori jetën. Bashkë me të në stolin e Barcelonës ishte edhe Zhordi Roura, i cili, duke folur për kohën kur punonte me Vilanovën, ka zbuluar edhe një prapaskenë të bujshme në programin “Sin Concesiones”. Roura ka pohuar se Tito Vilanova, 6 ditë para se të ndërronte jetë, e bindi Mesin të qëndronte te Barcelona, pasi argjentinasi kishte në mendje largimin.
“Po, është e vërtetë që Leo nuk ishte i sigurt për qëndrimin te Barcelona dhe është e vërtetë që ai është takuar me Vilanovën. Unë nuk isha aty. Ata po flisnin prej shumë orësh dhe është e vërtetë që, edhe pse nuk e di çfarë diskutuan, Mesi ndryshoi qëndrimin e tij dhe për fat të mirë vendosi të qëndronte te Barcelona”, – ka thënë Roura. Më tej ai ka folur edhe për figurën e Vilanovës: “Shumë është folur se si ishte ai. Ishte një person shumë i thjeshtë dhe me personalitet të jashtëzakonshëm. Dinte të administronte një grup kampionësh dhe kjo e bënte të veçantë. Te Barcelona kaloi një moment shumë të vështirë, por personaliteti i tij ishte i padiskutueshëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje