Politike

Rama rikonfirmon Marinajn në Malësi të Madhe: Zgjedhjet do të bëhen

Pas trazirave që pati rrugës për në Shkodër, kryeministri Edi Rama nisi turin e takimeve “Bashkia që duam” në Malësinë e Madhe.
Rama e nisi fjalën e tij duke komentuar bllokimin e rrugës nga mbështetësit e PD, duke u shprehur i keqardhur për grupet e vogla që dalin në rrugë.
“Patëm pak trazime rrugës, më erdhi keq kur pashë dy grupe të vogla njerëzish në anë të rrugës. Këto grupe njerëzish duhet ta kuptojnë që janë në një situatë ku fajin ua kanë udhëheqësit e tyre krejtësisht të verbër”, u shpreh kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se Partia Demokratike nuk mund ta fusë kurrë në qorrsokak Shqipërinë.
“Partia Demokratike Shqipërinë nuk e fut dot kurrë në qorrsokak. Ne jemi të vendosur deri në fund të luftojmë për Shqipërinë. Po ashtu nuk mund të pengojnë as reformën zgjedhore dhe as integrimin në BE”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndër të tjera Rama, përmendi një sërë investimesh që do të bëhen në këtë zonë si dhe rikonfirmoi si kandidat për Bashkinë e Malësisë së Madhe Tonin Marinaj.
“Do bëjmë për Malësinë e Madhe çfarë nuk është bërë për 27 vjet në këtë komunitet. Kemi një fond për të investuar për bujqësi dhe agroturizëm. Mund të dilni nga varfëria edhe pa u larguar nga Shqipëria. Do investojmë edhe në infrastrukturë, ka disa pika që janë pjesë e programit ‘100 fshatrat’. Unë mendoj që Tonin Marinaj e meriton mbështetjen tuaj të mëtejshme”, u shpreh ndër të tjera shefi i qeverisë.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë PD- LSI dhe partive të tjera opozitare se nuk do të lejojë krijimin e një qeverie tranzitore dhe se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen.
“Kanë vendosur që të mos hyjnë në zgjedhje. Luli do të bëhet kryeministër dhe thotë ‘ik ti se do vij unë’. Por unë kam marrë vota nga ju, kjo është e pamundur s’e bëjmë dot. Luli e la dhe atë punë që kishte, kërkon njerëz që t’i bien murit me kokë për të, kjo është qesharake. Ata që i besojnë Monikës, janë ata që besojnë në filxhan. Këto mendojnë se do shtyhen zgjedhjet. Asgjë nuk ka për të ndodhur, pas zgjedhjeve duhet të rregullohet dhe të rilindi Partia Demokratike, por kjo është puna e tyre. Nuk e di ku do gjenden budallenjtë që do bëjnë burg për Lulin, se do Luli pushtet. Ky është një budallallëk”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë