Janë javët e fundit në kampionatet kryesore të Europës dhe dikush e ka futur titullin në kasafortë para kohe. Juventusi në Itali dhe PSG në Francë i kanë hapur shishet e shampanjës, të tjerë klube të mëdhenj janë gati të shpërthejnë në festë nga java në javë për titullin kampion.
Në pritje të të tjerave, Europa ka vetëm dy mbretëresha për momentin. Mes kampionateve më të fortë të kontinentit, e kanë fituar matematikisht titullin Juventusi i Alegrit 5 javë para fundit dhe PSG e Tuhel me 19 pikë diferencë nga Lila po 5 javë para mbyljes së kampionatit. Titulli mbetet ende i padeshifruar dhe pret javët e fundit në shumë kampionate të tjera.

Angli – Tri javë para fundit, Mançester Siti dhe Liverpuli po duelojnë fuqishëm. Skuadra e Klop është 2 pikë para (91-89), por me një ndeshje më shumë. Nëse dy skuadrat e mbyllin me pikë të barabarta, vendos diferenca e golave, që është më e mirë për djemtë e Guardiolës. Fitorja e Mançester Sitit në derbi i ka pezmatuar jo pak “të kuqtë” e trajnerit Klop, pasi ata prisnin ndalesën e Agueros me shokë. Të besuarit e Guardiolës kanë dy transfertat me Brajtonin dhe Bërnlin, si dhe ndeshjen në shtëpi me Leiçesterin deri në fund. Liverpuli, pas fitores së thellë me Hudërsfilldin, shkon në fushën e Njukasëllit dhe pret Volverhemptonin në fund.

Spanjë — Fitorja e Atletiko Madrid ndaj Valencias e ka shtyrë festën e Barcelonës. Katër javë para fundit, katalanasit kanë 9 pikë avantazh ndaj skuadrës së Simeones dhe të shtunën pritet të zyrtarizohet titulli. Mjafton që Mesi me shokë të mundin Levanten, ndërkohë që Atletiko ndeshet me Valadolidin. Për Barcelonën do të jetë titulli i 26-të në histori, duke iu afruar kështu Real Madridit, që kryeson me 33 tituj.
Gjermani — Luftë e fortë në Bundesligë, ku kanë mbetur edhe 4 javë dhe Bajerni është një pikë para Borusia Dortmundit. Në rast barazimi me pikë, vendos golaverazhi dhe aktualisht Bajerni është përpara 50- 36. Kalendari i bavarezëve është ky: në dy javët e ardhshme luajnë me vendin e fundit dhe të parafundit, Nurembergun dhe Hanoverin, më pas ndeshen me Lajpcigun dhe Eintraht Frankfurtin, dy skuadra që luftojnë për Championsin. Borusia luan fillimisht derbin me Shalken, më pas me Verderin, Dyseldorfin dhe Borusia Mënshengladbah.
Holandë — Ajaksi dhe PSV-ja janë me pikë të barabarta (80-80), por gjysmëfinalistët e Championsit kanë golaverazh më të mirë. Mbeten edhe dy javë për të përcaktuar kampionin e Holandës, ku duket se po përsëritet historia e tre sezoneve më parë. PSV, ekipi kampion në fuqi, kërkon të përfitojë nga angazhimi i Ajaksit në Champions me Totenhemin, si dhe nga finalja e Kupës së Holandës që rivalët do të luajnë më 5 maj kundër Vilem II.

Portugali — Garë e fortë mes Benfikës dhe Portos, të dyja me nga 75 pikë 4 javë para fundit. Një duel i gjatë dhe intrigues, ndërkohë që në sfond është ndeshja e madhe Porto-Sporting javën e fundit, kur Benfika luan kundër Santa Klarës. Në Portugali, sfida mes “Dragões” dhe “Leões” nuk njeh kompromis dhe mund të përfitojë në këtë rast Benfika, që gjithashtu ka golaverazh më të mirë se Porto rivale.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje