Politike

Kryemadhi: Qeveria la pas dore fermerët, LSI ka program për ta

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka hedhur akuza mbi kryeministrin Edi Rama, këtë herë për sektorin e bujqësisë.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook” Kryemadhi shkruan se sot fermeri shqiptar e ka të vështirë të gjejë treg, ndërsa janë gjendur në një stuhi goditjesh të padrejta nga qeveria.
“Prodhimet e fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë këto ditë janë gjendur nën një stuhi goditjesh të padrejta dhe deri kriminale. Këto sulme diku të dirigjuara edhe me ‘figurantë’ dhe aktorë televizivë sollën një stepje të konsumit të prodhimeve shqiptare. Qeveria e Rilindjes u mjaftua me një deklaratë të thatë aspak bindëse të Ministrisë së Bujqësisë, e cila në vend të jepte mbrojtje djersës dhe sakrificës së mijëra fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë, u mundua të justifikonte sulmet ndaj tyre”, shkruan Kryemadhi.
Kryemadhi akuzon kreun e qeverisë se i ka lënë fermerët si qytetarë të dorës së dytë, duke mos bërë asgjë për këtë sektor, por sipas saj interesat e tij janë vetëm te oligarkët.
“50% e popullsisë jeton edhe punon në ferma apo merret me blegtori. Ne duhet të jemi në krah këtyre njerëzve punëtorë dhe të palodhur, që shteti i Rilindjes i ka lënë si qytetarë të dorës së dytë. Duke i shkurtuar subvencionet me gati 6 herë, duke mos pasur asnjë iniciativë në mbështetje të tyre, por vetëm taksa të larta dhe shfrytëzim i mundit të tyre.
Jo vetëm nuk bën asgjë për t’i siguruar tregun fermerëve të Korçës, Dibrës dhe Pogradecit për mollët apo të heqë akcizën e naftës, por qeveria e Rilindjes i uli edhe TVSH-në në shitjen e produkteve të tyre”, shprehet kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërsa paralajmëron se LSI së shpejti do të paraqesë një program të qartë për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve, Kryemadhi u bën thirrje shqiptarëve të konsumojnë produktin vendës.
“Ndaj sot si nënë, si grua, si shqiptare dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve; konsumoni produktet tona të mrekullueshme, të mbjella e kultivuara nga vëllezërit tanë.
LSI së shpejti do të paraqesë një program të qartë për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve.
Subvencionimi do të jetë për çdo kokë bagëti, për çdo koshere blete, çdo dynym të mbjellë, për çdo serë të ndërtuar, direkt te fermeri duke hequr hallkat dhe burokracitë e deritanishme ku fermerët më shumë kohë dhe para harxhonin për aplikime, se sa përfitonin nga subvencionet.
LSI do heqë akcizën e naftës për fermerët, ashtu siç e hoqi për peshkimin kur drejtonte Ministrinë e Bujqësisë”, shkruan ndër të tjera Kryemadhi.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/photos/a.1202016639911076/2093831807396217/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë