Futboll

Sa shumë analogji me Milanin e 1987-ës, përveç njërës

Sa shumë analogji te Milani aktual dhe ai i 1987-ës! Duket sikur jemi kthyer 32 vite më pas. Në atë kohë Berluskoni e zëvendësoi trajnerin 5 ndeshje para fundit, por sot nuk ka një Fabio Kapelo.

Më 5 prill të 1987-ës, Milani i drejtuar nga trajneri Liedholm, humbte në Avelino. Kishin mbetur edhe pesë ndeshje nga fundi i kampionatit dhe presidenti Silvio Berluskoni e kishte marrë një mësim nga sezoni i mëparshëm, kur skuadra e tij kishte humbur 4 nga 5 ndeshjet e fundit, duke kompromentuar objektivin për një vend në Kupën UEFA. Ai nuk hezitoi dhe mori vendimin e menjëhershëm për t’ia besuar drejtimin e Milanit trajnerit Fabio Kapelo, në atë kohë asistent i trajnerit suedez.

Me dy fitore dhe dy barazime, Milani siguroi ndeshjen shtesë me Sampdorian, që e mundi në kohën shtesë me golin e Masaros. Shumë analogji te Milani aktual, përveç njërës… Në shkurt të 1986-ës, Silvio Berluskoni bleu Milanin që drejtohej nga Liedholm, pra nga një trajner që nuk ishte zgjedhur nga pronari i ri. Fondi “Elliott”, në korrik të vitit të kaluar u bë pronar i Milanit dhe gjeti në stol Rino Gatuzon, të zgjedhur nga kinezët. Katër ndeshje para fundit të kampionatit, humbja në Torino duket vendimtare për fatin e trajnerit, por aktualisht nuk ekziston një Fabio Kapelo. Është e qartë, pavarësisht deklaratave të klubit për mbështetje, se mungesa e një alternative e ka shpëtuar Gatuzon nga shkarkimi.

Ivan Xhenaro Gatuzo, trajneri i Milanit

Nuk jep garanci një Milan i drejtuar nga Federiko Xhunti, trajneri i ekipit të të rinjve që lufton për mbijetesë. Edhe mundësia e drejtimit të ekipit nga Leonardo, drejtori i përgjithshëm i klubit kuqezi, është minimale, edhe pse ai e ka drejtuar më parë Milanin, ashtu si dhe Interin. Tifozëve milanistë nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të shpresojnë për hapa të gabuar të rivalëve. Numrat tregojnë se Milani nuk është larg vendit të katërt, por gjithçka është komplikuar së tepërmi. Së pari kuqezinjtë duhet të gjejnë fillin e lojës, që është prishur prej më shumë se 40 ditësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë