Futboll

Shpërthen legjenda e Mançesterit: Pogba jeton në botën e përrallave!

Ish-lojtarët e Mançester Junajtid, veçanërisht ata që nga të gjithë konsiderohen legjenda, e përjetojnë më shumë se askush tjetër krizën e ekipit të zemrës. Ish-mesfushori Pol Skolls, i cili po përjeton një moment delikat, pas largimit nga stoli i Oldhamit dhe akuzave për vënie bastesh, ka shpërthyer ndaj “armikut” numër 1 të tij, francezit Pol Pogba.

Pas fitimit të Kupës së Botës, me siguri pritej diçka më shumë nga një lojtar me kualitetin e Pol Pogba, po sezoni i tij nuk u ngjit në nivelin që priste Mançester Junajtid. Fillimisht përplasjet me trajnerin Zhoze Mourinjo, më pas një moment i mirë me Ole Gunar Solskjaer dhe tani sërish rënia dhe zërat për kalimin e mundshëm te Real Madrid. Dhe sipas Skolls, largimi i francezit nuk do të ishte një problem për “Djajtë e kuq”, siç flitet në shtyp: “Në të kaluarën, Mançester Junajtid ka humbur lojtarë më të mirë se Pogba. E kam fjalën për lojtarë si Roi Kin, Devid Bekham, Kristiano Ronaldo dhe Rud Van Nistelroi. Të gjithë më të mirët janë larguar nga Mançesteri.

Pol Pogba

E njohim të gjithë Pol Pogba dhe flasim ende për potencialin e tij, por është 26 vjeç dhe duhet ta tregojë këtë potencial javë pas jave. Pogba mendoj se do të kishte nevojë për një Brajan Robson ose Roi Kin në krah, që ta këshillonin apo edhe t’i bërtasnin herë pas here. Nëse nuk e kupton, ai vazhdon të jetojë në botën e tij të vogël fantastike, në botën e përrallave, duke menduar se është më i miri”, – është shprehur Pol Skolls. Mançesteri ndodhet për momentin jashtë zonës së Championsit, 3 pikë larg vendit të 4-t, që mbahet nga Çelsi. Nëse nuk ia arrin të kapë këtë vend në fund të kampionatit, do të ishte një dështim i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë