Futboll

Rreziku i kompromiseve, ndeshjet do të luhen në të njëjtën orë

Nga kjo javë e me shumë mundësi deri në fund të kampionatit, ndeshjet e Superiores do të zhvillohen të gjitha jo vetëm në një ditë, por edhe në të njëjtin orar. Ky është vendimi që ka marrë sot Federata Shqiptare e Futbollit. Java e 32-të e Superiores ishte programuar të luhej ditën e shtunë, por me orare të ndryshme, ndërsa tani të gjitha ndeshjet do të startojnë në orën 15:00.

Një vendim që merret për të shmangur kompromiset e mundshme në ndeshje të caktuara, që do të dëmtonin garën, duke favorizuar një skuadër dhe duke penalizuar një tjetër. Është një rregull, që aplikohet shpesh në fundin e kampionateve dhe jo vetëm në Shqipëri. Në rastin kur ndeshjet luhen në të njëjtin orar, ka më pak mundësi për kompromise se në rastet kur dy skuadra të caktuara luajnë pasi kanë mësuar rezultatin e rivalëve dhe mund të bien dakord për një rezultat që nuk dëmton asnjërën prej tyre.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Skënderbeut, që ndeshen të shtunën në kryeqytet

Në 5 javët e mbetura të Superiores, “lufta” do të jetë shumë e fortë në dy fronte: për skuadrat që synojnë të shkojnë në Ligën e Europës dhe që nuk janë pak, por katër, si dhe për rënien nga kategoria. Në fundin e tabelës janë aktualisht Kastrioti, Tirana dhe Luftëtari, por vetëm njëra prej këtyre skuadrave do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Për të shmangur paragjykimet, FSHF-ja ka vendosur që të gjitha ndeshjet të luhen në të njëjtën kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë