Politike

Basha pas takimit me Kryemadhin: Nesër bllokohen akset në 12 qarqe

Pas përfundimit të mbledhjes në selinë e LSI-së me Monika Kryemadhin, kryedemokrati Basha në një prononcim të shkurtër për mediat deklaroi se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës.
Ai tha se vendi ndodhte në një krizë të thellë dhe nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni opozitar në 12 qarqet e vendit.
“Jemi në një krizë të thellë politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe siç u bë e qartë dhe 24 orët e fundit dhe një krizë totale të integrimit në BE. Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar kushtetutën, demokracinë, zgjedhjet, themelin e llogaridhënies së qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve rrugore”, u shpreh Basha.
Po ashtu, Basha deklaroi se nesër në orën 11:00 do të ketë një prezantim nga koalicioni opozitar të planit për qeverinë transitore dhe se largimi i Edi Ramës vijon të jetë kusht i panegociueshëm.
“Paradite në orën 11:00 do të shpalosim detyrat e qeverisë tranzitore. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politik.
Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm”, tha ndër të tjera Basha.
Një javë më parë, opozita e bashkuar bllokoi akset rrugore kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin rreth një orë duke nisur që nga ora 18.00, duke ndryshuar në këtë mënyrë strategji dhe destinacion.
Ndërkohë, para Parlamentit zhvilloi një protestë simbolike me këpucë dhe flamuj të vendeve të BE-së, nga të rinjtë e FRPD dhe LRI.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë