Jemi në fazën finale të kampionatit dhe përveç garës për Europën, interesante është edhe gara e mbijetesës në Superiore. Kamza u përjashtua kohë më parë dhe tani për mbijetesë luftojnë Kastrioti, Tirana dhe Luftëtari. Trajneri Julian Ahmataj, i cili mori drejtimin e Luftëtarit pas largimit të Gentian Mezanit, ka ditur t’i marrë më të mirën ekipin gjirokastrit në periudhën e fundit. Me një futboll të thjeshtë dhe me pak gabime, gjirokastritët kanë grumbulluar më shumë pikë se rivalët e tyre deri tani dhe janë të favorizuar.
Luftëtari ka 4 pikë diferencë me Kastriotin dhe 2 pikë me Tiranën, ndërkohë që ka edhe trepikëshin e sigurt të ndeshjes me Kamzën. Po ashtu, Luftëtari ka arritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, duke eliminuar Partizanin kryesues të Superiores. Në një intervistë për “Gazeta Si”, trajneri Ahmataj i mëshon faktit se ekipi i tij duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi nuk ka siguruar ende asgjë dhe në javët e fundit gjithçka mund të ndodhë. Trajneri elbasanas flet edhe për trendin e trajnerëve të rinj në moshë në kampionatin shqiptar.

Ahmataj, jeni shumë pranë arritjes së objektivit sezonal të qëndrimit të Luftëtarit në Superiore…
Jemi afër objektivit, por nuk kemi arritur ende asgjë. Kemi punuar mirë, por nuk ka përfunduar gara dhe nuk duhet të flasim që tani. Na duhet impenjim maksimal në finishin e garës, ku janë edhe disa ndeshje për t’u luajtur.
Sa e vështirë është të rivalizosh me një ekip si Tirana?
Nuk jam marrë asnjëherë me rivalët dhe nuk kemi rival vetëm Tiranën. Ajo që mund të them është se kemi rival vetëm skuadrën tonë. Kjo ka qenë detyra jonë kryesore te Luftëtari: të bindim skuadrën për vlerat që ka dhe ta vëmë në pozita pune atë. Kemi pasur punë vetëm me skuadrën tonë. Rivalë për ne janë të gjithë ekipet e Superiores, nuk kemi veçuar asnjë ekip nga një ekip tjetër.
Çfarë ambienti pune keni gjetur te Luftëtari?
Ambienti te Luftëtari është shumë i mirë. Është një ekip profesionist, që meriton të konkurrojë gjithmonë denjësisht në kampionatin shqiptar.

Keni një llogari të hapur në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku në ndeshjen e parë keni barazuar pa gola?
Objektivi i skuadrës për këtë sezon ka qenë vetëm qëndrimi në kategori. Kupa e Shqipërisë është një objektiv i gjendur rrugës, na doli gjatë rrugëtimit. Ka ndikuar negativisht në grupin e skuadrës, sepse këtu ka të bëjë menaxhimi i lojtarëve dhe ngarkesa e ndeshjeve. Kemi pasur edhe pesë ndeshje në dy javë dhe ka ndikuar lodhja e futbollistëve. Jemi me fat që nuk kemi pasur shumë dëmtime, sepse mund të kishim edhe 5-6 lojtarë të dëmtuar. Nga ana tjetër, është privilegj të luash një gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Çfarë mendimi keni për trendin e trajnerëve të rinj në Superiore, mes të cilëve jeni edhe ju?
Mbase ka ardhur momenti për ndërrim brezash sa u takon trajnerëve. Së fundi pati një shkëputje të shumë futbollistëve nga futbolli i luajtur dhe përvojën e tyre duan ta vazhdojnë në fushën e trajningut. Janë trajnerë të rinj që kanë studiuar dhe kanë punuar dhe besoj se do të bëjnë më mirë në të ardhmen. Kam besim se këtyre trajnerëve do t’u besohen projekte më të mira në vazhdim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje