Partia Socialiste zhvilloi mbledhjen e grupit parlamentar, e cila vjen fill pas Samitit të Berlinit, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, Edi Rama tha se ka pasur një dezinformim politik dhe mediatik lidhur me punimet në samit.
“Nuk kisha parë kurrë dezinformim më të madh politik dhe mediatik sesa tërësia e marrëzive dhe ligësive. Samiti nuk kishte asnjë lidhje me negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Deklarata e Samitit nuk kishte asnjë fjalë për zgjerimin. Gramafonët dhe filxhanët e Tiranës që lajmëruan kobin e mbylljes së derës së negociatave për Shqipërinë ishin thjesht dhe vetëm një shprehje ekstreme e dëshpërimit që duan të marrin Shqipërinë në rrugën e theqafjes. Tema e Samitit nuk ishte zgjerimi i BE, por bashkëpunimi rajonal”, tha ndër të tjera Rama.
Kryeministri u shpreh se nuk shkoi në Berlin për të mësuar se cili do të ishte vendimi i Gjermanisë sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai sqaroi se për shkak të çështjeve të brendshme të Bundestagut gjerman, ky vendim, që pritej të merrej në fillim të muajit qershor, do të merret në vjeshtë, në shtator pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian. Kreu i qeverisë tha se Gjermania vlerësoi arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje