Portieri i Portos, Iker Kasijas ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në zemër dhe tani do t’i kthehet jetës së një njeriu normal, por jo më futbollit, edhe pse ka një fije të vogël shprese. Mbështetje nga e gjithë bota e futbollit për spanjollin, që pasditen e së mërkurës pësoi një sulm në zemër. Mbrëmja ka kaluar e qetë për Iker Kasilasin. Bashkëshortja Sara Karbonero ka qëndruar pranë tij dhe ishte një personat e paktë që u lejua nga stafi i “Cuf di Oporto”, spitali që kreu ndërhyrjen kirurgjikale në zemrën e Kasijasit. Jashtë spitalit, telekamera pa fund, sepse mbrëmjen e së mërkurës është folur edhe për Kasijasin po aq sa për Mesin dhe golat e tij ndaj Liverpulit.
Iker Kasilas u ndje keq pas stërvitjes dhe u transportua me urgjencë për në spital, ku u vërtetua se kishte pasur një sulm në zemër. Gjendja e portierit 37-vjeçar u stabilizua dhe më pas u krye ndërhyrja kirurgjikale. Një ngjarje që pushtoi gjithë shtypin sportiv botëror dhe solidarizimi nga e gjitha bota e sportit ishte i jashtëzakonshëm. Kasijas është futbollisti me më shumë ndeshje në Champions, 181. Ai është një nga simbolet e kompeticionit që e ka fituar tri herë me Real Madridin. Kasijas pritet t’i japë fund karrierës 20-vjeçare në futboll, pasi mjekët gjykojnë se është e rrezikshme ta lejojnë të luajë sërish.

Infarkti i miokardit ishte “akut” dhe portierit spanjoll i është vënë unazë në zemër. Ai do të qëndrojë në spital edhe dy ditë të tjera dhe do të kthehet në shtëpi për fazën e rehabilitimit. Për momentin nuk ka shumë detaje në lidhje me pasojat që do të lërë në shëndetin e portierit ajo që kaloi. Nga njerëz të afërt pranë Kasilasit është thënë se ai do të riaftësohet 100% dhe madje se mund të luajë sërish, por kjo nuk është përparësi në këtë moment. Tani po mendohet vetëm për shëndetin e portierit, për jetën e tij normale me Sarën dhe dy fëmijët e tyre Lukas dhe Martin. Më pas do të shihet, por ka shanse minimale rikthimi. Iker është 37 vjeç dhe sapo ka rinovuar edhe për një sezon me Porton. Mjeku i Portos ka lënë një fije shprese për rikthimin e portierit, por situata është mjaft e komplikuar dhe mjeku i Spanjës, Antonio Korbalan, e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që Kasilas t’i kthehet fushës: “Me unazë në zemër është e pamundur të kthehet dhe të luajë, – tha Korbalan për TVE. – Mund t’i kthehet jetës normale, por jo futbollit profesionist”.

Mes shumë mesazhesh mbështetjeje që Kasijas ka marrë ishte edhe ai i Leo Mesit, i cili pas ndeshjes me Liverpulin i uroi shërim të shpejtë atij që për shumë vite ka qenë rivali i tij në “El Clasico”. Me Realin Kasilas ka fituar 11 trofe kombëtarë dhe 8 trofe ndërkombëtarë. Me Spanjën ka qenë heroi i tripletës së famshme, dy Europianëve dhe një Botërori. Mrekullitë që bënte në fushë bënë që të pagëzohej me emrin “San Iker”. Pritja e tij ndaj Roben në finalen e Botërorit në Afrikën e Jugut është postuar orët e fundit nga miliona njerëz në rrjetet sociale. Kasijas është futbollisti spanjoll më i famshëm i të gjitha kohërave dhe kjo u vërtetua edhe nga solidariteti i jashtëzakonshëm sapo u mësua lajmi mbi shëndetin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje