Një histori e veçantë vjen nga kryeqyteti italian, ku tifozët e ekipit të Romës dhe ata të Lacios janë bërë bashkë për një arsye që askush nuk e kishte imagjinuar: për të shpëtuar një shitës lajthish. Shitësit historik të lajthive të “Olimpico”-s i ishte ndaluar hyrja në stadium për shkak të mungesës së licencës dhe ai kishte shpërthyer në lot përpara kangjellave. Pas apelit të tifozëve të dy skuadrave armike dhe gjithë qytetit, të dielën pritet të rikthehet në shkallët e stadiumit.
Mund të vazhdojë të shesë kaushë me lajthi, t’i vendosë eurot në çorape, t’u falë një buzëqeshje spektatorëve të stadiumit “Olimpico”, të dhurojë spektakël si më parë. Prova e vërtetë do të jetë të dielën, në orën 15:00, kur luhet ndeshja Lacio-Atalanta, por duket se historia e “Noçiolinaro” (lajthishitësit), siç e njohin të gjithë në Romë, do të ketë një fund pozitiv. Për Romën dhe Lacion, por edhe për CONI-in nuk duhet të ketë problem, duke parë mobilizimin e madh të qytetarëve të Romës për atë që konsiderohet si një figurë mitologjike në ambientet e brendshme të stadiumit të kryeqytetit italian. Për të dihet pak: thonë se quhet Rolando dhe se vjen nga Europa Lindore, thuhet se ka ikur që andej shumë vite më parë për arsye politike. Askush nuk e di me saktësi ku jeton, për disa në Korviale, për disa të tjerë në Tor Vergata, por të gjithë e dinë ku mund ta gjejnë kur luajnë Roma ose Lacio, në shkallët e stadiumit “Olimpico”, duke shitur lajthitë e tij të dashura.

Një burrë i dobët, me krahët muskulozë dhe me mustaqe të gjata. Me moshë të papërcaktuar (me dokumente është 50 vjeç) ai shet lajthi në të dy sektorët e tifozëve. Është i abonuar si me Romën, ashtu edhe me Lacion, por teserat askush nuk i ka parë, duket se nuk e ka pasur kurrë licencën për të shitur dhe tani që rregullat janë më të forta, i është ndaluar hyrja në stadium. Kur mësoi këtë lajm para ndeshjes së Romës ndaj Udinezes, tifozët e panë duke qarë te kangjellat dhe të gjithë u solidarizuan me të, duke lëshuar apelin “Lejojeni të punojë!” Këtij apeli iu bashkuan të gjithë tifozët nëpërmjet rrjeteve sociale. Të gjithë u vunë në lëvizje për ta ndihmuar atë që ka parë “live” titujt e Romës dhe të Lacios, Botërorin e 1990-ës dhe shumë ngjarje të tjera sportive. Dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë, falë ndihmës së tifozëve të Romës dhe Lacios.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje