Një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, Ksavi Hernandez, thotë “Mjaft”. Ky është sezoni i fundit si futbollist për spanjollin, të cilin e pret një e ardhme si trajner.
Ksavi Hernandez ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur. E ka bërë të ditur vendimin e tij me një editorial të dërguar medieve nga Doha, ku këtë vit fitoi titullin kampion në Katar: “Është sezoni im i fundit si futbollist dhe mezi po pres të shoh çfarë më rezervon e ardhmja si trajner”, – ka shkruar mes të tjerash ish-mesfushori i Barcelonës. Spanjolli 39-vjeçar ka fituar 35 trofe në karrierën e tij, ka shkruar historinë e Barcelonës dhe është një nga futbollistët më fitues të gjithë kohërave të klubit katalanas. Ksavi Hernandez ka fituar shumë tituj dhe ka vendosur disa rekorde personale me Barcelonën. Në total, me katalanasit ka luajtur 767 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 85 gola.
“Fari” i mesfushës së Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, ka fituar 8 herë kampionatin, 6 herë Superkupën e Spanjës, 3 herë Kupën e Mbretit, 4 herë Champions League, 2 herë Superkupën e Europës dhe 2 herë Botërorin e Klubeve. Ksavi Hernandez ka fituar me Spanjën medaljen e argjendit në Lojërat Olimpike, dy Europianë dhe 1 Kupë Bote. Tani mesfushori legjendar kërkon ta kalojë stilin e tij të lojës nga fusha në stol. “Filozofia ime si trajner do të reflektojë stilin e lojës që kemi zhvilluar për shumë e shumë vite nën influencën e Johan Krojfit te “La Masia”, që është eksponenti kryesor në mënyrën si luan futboll Barcelona. Më pëlqen të shoh skuadrat që kanë kontrollin e fushës, të luajnë në sulm dhe të kthehen në esencën e saj që ne të gjithë kemi dashur në fëmijërinë tonë: futbollin posesiv.

Katër javët e ardhshme do të luaj ndeshjet e fundit të një gare të paharrueshme që zgjat prej 21 vitesh dhe që më ka çuar kudo nëpër botë. Të fitoja titullin në Katar ishte e vetmja gjë që më mungonte dhe ishte një finale perfekte për karrierën time. Që kur erdha në Katar, kishim fituar gjithçka përveç kampionatit, ndaj jam i lumtur për Al Sad, skuadrën time, që ka punuar shumë për ta fituar me plot meritë titullin kampion. Një sportist nuk lodhet kurrë së fituari. Sapo fiton një titull, kërkon të fitojë më shumë në vazhdim”, – shprehej më tej Xsavi Hernandez, një nga futbollistët më të dashur në Spanjë, bashkë me Andres Injestën. Të dy kanë qenë kolonat kryesore të Spanjës në periudhën e artë të saj, që u finalizua me dy Europianë dhe një Botëror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje