Futboll

Reja i vjetër? Ish-kampioni i Europës po i mahnit të gjithë 77 vjeç

Kush ka dyshuar se trajneri Edi Reja është i vjetër për të drejtuar Shqipërinë, e ka pasur gabim. Trajneri italian i Shqipërisë është 73 vjeç dhe në formë të mirë fizike, dikush tjetër është më i vjetër si ai dhe po i mahnit të gjithë me ekipin që drejton. Nuk është një emër i panjohur, një trajner dosido, por ish-kampioni i Europës më Francën në vitin 2000, francezi Rozher Lemerr. Italianët e mbajnë mend mirë, sepse i mundi në finale me atë “gol të artë” të David Trezege.

Katër vite më pas, Lemer ishte trajner i Tunizisë, kur ajo fitoi Kupën e Afrikës. Sot është 77 vjeç dhe vazhdon të drejtojë e të kërkojë trofeun e radhës. Lemerr është aktualisht trajneri i ekipit tunizian Etoile Sahel, që ka kaluar në gjysmëfinale dhe nesër do të kërkojë një biletë për në finale në ndeshjen ndaj egjiptianëve të Zamalek. Bëhet për kompeticionin “Confederation Caf Cup”, që është ekuivalenti afrikan i Europa League. Etoile luan në shtëpi dhe duhet të përmbysë humbjen 1-0 të ndeshjes së parë. Një muaj më parë skuadra e drejtuar nga “gjyshi” francez ka fituar “Arab Champions Cup”, kupën e kampionëve të vendeve arabe, duke mundur në finale Al Hilal.

Trajneri Lemerr, kampion i Europës me Francën në vitin 2000

Eh, trajnerët e vjetër janë si vera. Lemerr është trajneri i vetëm që ka fituar një Europian, atë të 2000-shit, kur drejtonte Francën dhe mundi 2-1 në finale Italinë, si dhe Kupën e Afrikës në krye të Tunizisë në vitin 2004. Ai e drejtoi Francën dy vite pasi ajo fitoi Botërorin me Aime Zhake në stol. Ka drejtuar Tunizinë për 6 vite dhe 1 vit Marokun, para se të kthehej për të drejtuar klube të ndryshme në Turqi dhe Algjeri. Në stolin e Etoile Sahel ka qenë më parë dhe u kthye në vitin 2018, pas një përvoje 3-vjeçare me Sedanin në Francë, klubin ku ka luajtur si futbollist.

Etoile është i vetmi klub që ka në palmaresin e tij të pesë trofetë e futbollit afrikan. Tani kërkon finalen me Rozher Lemerr në krye, trajnerin e pavdekshëm që po i mahnit të gjithë në moshën 77-vjeçare. Ja pra, mosha nuk ka të bëjë fare..! Ndoshta edhe Edi Reja mund të jetë një Rozher Lemerr i Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë