Është momenti i Jahmir Hykës në Izrael. Futbollisti kryeqytetas ka gjetur sërish golin, i treti për të brenda pak ditësh. Një gol me peshë për skuadrën e mesfushorit-sulmues, Makabi Netanja, që ka fituar 1-2 në fushën e Hapoel Hadera dhe tani mban vendin e dytë të tabelën e klasifikimit, me 53 pikë. Kjo do të thotë se Hyka do të luajë Europa League sezonin e ardhshëm, sepse skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për ta ruajtur këtë pozicion, ose minimialisht të zërë vendin e tretë.
Hyka realizoi golin e dytë për Makabi Netanja, një gol që rezultoi vendimtar për këtë ndeshje, ndërkohë që më parë kishte shënuar sulmuesi shqiptaro-malazes Fatos Beqiraj. Ish-lojtari i Kombëtares, jo vetëm po luan titullar me skuadrën izraelite, por gradualisht po merr rolin e liderit, duke shënuar gola të rëndësishëm. Makabi Netanja regjistron tri fitore radhazi në kampionat dhe Hyka pa dyshim që ka dhënë kontributin e vet në këto rezultate. Deri tani ai e ka gjetur rrugën e rrjetës tri herë dhe e veçanta është se të tre golat i ka shënuar në portën e të njëjtit kundërshtar, Hapoel Hadera.

Hyka la fushën në minutën e dytë shtesë të ndeshjes, por ky ishte një ndërrim thjesht për të fituar kohë nga ana e skuadrës së shqiptarit, që po shijon momentin e mirë në futbollin izraelit. Mbetet për t’u parë, nëse do të kemi një rikthim të 31-vjeçarit në Kombëtare nga ana e trajnerit të ri, Edi Reja. Forma e Hykës në këtë moment është vërtet e mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje