Politike

Basha në Korçë: Arrestimi i Balliut me urdhër politik

Pas Vaut të Dejës, kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar turin në qytetin e Korçës për të sensibilizuar qytetarët për të marrë sa më shumë pjesë në protestën e 11 majit përpara Kryeministrisë.
Ai e nisi fjalën me arrestimin e ish-deputetit Klevis Balliu, që ai e cilësoi si arrest politik me urdhër të Edi Ramës.
“Dua t’ju përcjell sot nga kjo sallë përshëndetjet e deputetit Klevis Balliut, i cili mbahet sot në arrest politik me urdhër të drejtpërdrejt të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politikë, Sandër Lleshaj, Ardi Veliu dhe kriminelit në krye të policisë së Tiranës.
Mbahet në burg me urdhra të drejtpërdrejtë politikë ndaj prokurorëve të kapur e të nënshtruar”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Sipas tij, kryeministri po e dëshmon dita-ditës se nuk pyet për popullin, duke i marrë në këtë mënyrë frymën qytetarit.
“Mesazhi që do të përcjellë Rama është se unë nuk pyes, arrestoj edhe përfaqësuesit politikë të opozitës, edhe deputetë, i çoj në prokurori ata që denoncojnë, siç bëri Ervin Salianji.
Mesazhi që Rama çon është se ai është pushteti, shteti dhe kur do ja merr frymën qytetarit, studentit, familjes dhe mbi të gjitha godet me padrejtësinë e drejtësisë së kapur edhe opozitën politike, që është bastioni i fundit i qëndresës kundër”, vijon më tej Basha.
Basha e vijoi fjalimin e tij duke akuzuar qeverinë Rama për taksat e larta, pasi si pasojë janë mbyllur një e treta e bizneseve të vogla në këtë qytet.
“Vetë kam qenë bashkë me ju në rrugët e qytetit të Korçës, në lagjet e ndryshme dhe në të gjitha zonat e qarkut, dhe kam parë mjerimin e thellë në të cilin është zhytur Korça e punës. Jo për fajt tuaj, as për faj të natyrës, por për shkak të mallkimit që quhet qeveria e Ramës, që me taksat e larta ka mbyllur në Korçë një të tretën e bizneseve të vogla. Kanë ulur qepenat edhe nga sjelljet terroriste të taksidarëve të qeverisë ua bënte të pamundur vazhdimin. Një urrejtje e shfrenuar kundër sipërmarrjes, që në fakt është palca e ekonomisë, është sjellësja më e sigurt e mirëqenies, por është po kështu një rrezik për tiranët dhe despotët, sepse sipërmarrja është e pavarur, s’ka nevojë për ymrin e Padishahut, dhe Edi Rama këtë s’e duron dot, i del jashtë planit të tij”, tha ndër të tjera Basha.
Sipas Bashës, të vetmit që bëjnë hajër janë oligarkët që rrinë me Ramën.
“Ndaj i është vërsulur sipërmarrjes dhe sipërmarrjes së vogël në veçanti. Të vetmit që bëjnë hajër janë oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë dhe rrinë me Ramën duke bërë plane si të grabisin buxhetin dhe pasuritë e shqiptarëve. 10 njerëz, 10 hiena grabitqare, 10 të ashtuquajtur biznesmenë, prandaj i ka shkatërruar gjithë të tjerët. Gjithçka vetëm për këta të 10 që i puthin dorën e gjithçka edhe atë që s’thuhet, se bashkë ndajnë lekët e shtetit”, u shpreh kryedemokrati Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë