Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve në qytetin e Pogradecit për të sensibilizuar qytetarët për të marrë pjesë në protestën e 11 majit përpara Kryeministrisë.
Në një takim me të rinjtë, Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për gjendjen e të rinjve në vend. Ai tha se Rama mban pranë vetes injorantë e kriminelë sepse ka frikë nga të aftit.
“Dështakët kanë frikë nga suksesi dhe nga të suksesshmit. Nuk është rastësi që Edi Rama e ka rrethuar veten me kriminelë, me të pashkollë, milionerë me katër klasë. Vetëm në Shqipëri bën vaki. Për një arsye të thjeshtë, sepse ka frikë nga të shkolluarit, ka frikë nga të aftit, ka frikë nga talentet prandaj ka shkatërruar edhe sistemin arsimor. I shërben injoranca. Një njeriu të paaftë, të dështuar, që 6 vite nuk vendosi një tullë në ekonominë, në demokracinë e në shtetin ligjor shqiptar, por shkatërroi shumë investime 29-vjeçare, një njeriu të tillë i bëjnë hije të rinjtë e kualifikuar, të rinjtë e arsimuar”, u shpreh Basha.
Në fjalën e tij, Basha tha se tubimi kombëtar i 11 majit ka për qellim të clirojë Shqipërinë nga krimi dhe nga oligarkët që qëndrojnë pranë kryeministrit.
“Kjo kryengritje demokratike ka një qëllim: ta çlirojë Shqipërinë nga qeverisja e lidhur me krimin, ta çlirojë ekonominë nga oligarkët dhe korrupsioni galopant, përmes kthimit të lirisë numër 1, pa të cilën nuk mund të ketë as liri, as mundësi të tjera: Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë”, tha ndër të tjera kryedemokrati Basha.
Duke folur para të rinjve, Basha tha se beteja e Partisë Demokratike është nisur pikërisht nga studentët gjatë protestave të dhjetorit dhe sipas tij qeveria Rama ka shkatërruar sistemin arsimor në Shqipëri.
“Në fakt betejën e keni nisur ju. E nisën studentët në dhjetor kundër padrejtësisë më të madhe që i është bërë ndonjëherë rinisë, shkatërrimit të arsimit të lartë, tarifave më të larta, çmimeve më të larta për arsim me cilësinë më të dobët në Europë. Dhe, pastaj, së bashku me ju u ngrit gjithë Shqipëria. Më 16 shkurt, 11 javë më parë nisi kjo lëvizje dhe kryengritje demokratike për të mposhtur tiraninë më të rrezikshme që vendi dhe Ballkani kanë njohur në 30 vite, tiraninë e politikës të lidhur me krimin, që ka asgjësuar votën, ka asgjësuar qeverisjen, ka kapur dhe paralizuar drejtësinë, ka kapur ekonominë, ka kapur universitetet dhe arsimin e lartë, ka shkatërruar shëndetësinë dhe, mbi të gjitha, i ka vënë kazmën mundësive të rinisë për të ndërtuar jetën e saj këtu në Shqipëri”, tha Basha.
Basha nuk anashkaloi as arrestimin e ish-deputetit Klevis Balliu, i cili u ndalua gjatë protestës së Astirit, ku pati konfrontime me policinë për të mos lejuar kalimin e eskortës së kryeministrit Rama. Arrestim, që sipas Bashës është me urdhër politik.
“Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëve, e që po i dhunonte policia. Unë jam krenar për Klevis Balliun, e di që edhe ju jeni krenar për Klevis Balliun. Dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort, edhe më të bashkuar në krah të njerëzve, në krah të kauzës tonë për liri dhe demokraci. ta tregojmë veten. Ky është mesazh për të gjithë ju e në veçanti për rininë e Pogradecit, ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë”, tha ndër të tjera kryedemokrati.
Para të rinjve, ai shpalosi edhe programin e Partisë Demokratike, duke thënë se do të ketë dyfishim të buxhetit për arsim dhe sipas tij për të gjitha prioritetet kombëtare.
“Plani ynë për buxhetin e arsimit me pak fjalë është ky. Dyfishim i buxhetit të arsimit, sepse arsimi është prioritet kombëtar. Kur them prioritet kombëtar, që ta kuptoni ndryshimin midis dërdëllitjeve politike dhe çfarë do të thotë, kur Partia Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike shpalli prioritete kombëtare.
Kur thamë, rrugët janë prioritet kombëtar, ndërtuam 80% të rrugëve në të gjithë vendin, jeni të gjithë dëshmitarë.
Kur thamë energjia dhe energjetika është prioritet kombëtar, i dhamë fund epokës së gjeneratorëve, i mbani mend gjeneratorët apo jo?”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje