14 personat e akuzuar për grushtin e shtetit në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016 në Mal të Zi u dënuan me 69 vjet e shtatë muaj heqje lirie.
Dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan në mungesë me 15 dhe 12 vjet heqje lirie. Ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç u dënua me tetë vjet, Predrag Bogiçeviç me 7 vjet, Nemanja Ristiç me 5 vjet heqje lirie, ndërsa dy udhëheqësit e opozitës Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç me nga 5 vjet heqje lirie.
Gjykata në Podgoricë dënoi Branka Miliçin me 3 vjet heqje lirie, Dragan Maksiçin me një vit e 9 muaj, Milan Dushiç dhe Mihailo Çaxhenoviç u dënuan me nga një vit e 6 muaj dhe Kristina Hristiç u dënua me një vit heqje lirie me kusht.
Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Mugosha, thotë Zëri i Amerikës, deklaroi se “qëllimi i të akuzuarve ishte rrëzimi i dhunshëm i pushtetit në Mal të Zi”.
Podgorica ka akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Milo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.
Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska hedhur poshtë mundësinë që “mekanizmat shtetërorë rusë”, të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti.
Mali i Zi u bë i pavarur nga Unioni me Serbinë në vitin 2006 dhe 11 vjet më pas u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje