“Miku im rrugëhumbur, kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge, shumë kohë më parë dhe po e përsëris prapw që nuk je vonë të kthehesh nga kjo rrugë”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama i parapriu ftesës për dialog me kryetarin e Partisw Demokratike Lulzim Bashën.
“Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse më herët se vonë, llogarinë ata që të ndjekin do ta kërkojnë ty, se nuk ka lider në botë, po ti s’je lider, që ta tërheqë partinë e vet nga stacioni i një alternative qeverisëse tek ky stacion ku të dëgjova me dhimbje dhe zë të ngjirur me thirrjet aman ik. Jam i gatshëm për dialog, për të diskutuar dhe fatmirësisht ata me Lulzim Bashën në krye thonë që nuk kanë nevojë për asnjë karrige. I kanë djegur karriget dhe janë popull. Përderisa nuk duan pushtet e karrige le të ulemi dhe të flasim dhe ne marrim përsipër të kthejmë në nisma ligjore të gjitha ato shqetësime që ata si popull kanë për të përmirësuar jetën e vendit. Nëse kjo s’është luftë e ulët për të bërë një Pazar, gjë që unë e besoj sepse e besoj gjithmonë çdo gjë që thotë Luli, atëherë jemi në rregull dhe të ulemi të flasim. Ta negociojmë dhe të vendosim, përndryshe turpi do t’i ndjekë pas gjithë kohës”, tha ai.
Një ditë pas protestës, kryeprokurorja Arta Marku u fotografua duke hyrë në zyrën e Kryeministrit. Nga opozita u hamendësua se takimi ishte thirrur nga Edi Rama ku i kishte kërkuar kryeprokurores që protesta e së shtunës të hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Rama e pranoi se takimi është zhvilluar me kërkesë të tij, por për një tjetër arsye, e cila sërish lidhet me aksionin e opozitës.
“E kam thirrur Prokuroren e Përgjithshme së bashku me drejtuesit e tjerë të agjencive ligjzbatuese, jo për protestën e djeshme, por për të nënvizuar domosdoshmërinë për vëmendje në një proces ku dje është dhënë mesazhi i cenimit të rendit kushtetues dhe i garancisë që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për të dëmtuar zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë të miat dhe as të PS. Janë themeli i kësaj shtëpie”, tha ai.
Në një fjalim të gjatë para gazetarëve të thirrur këtë të dielë, Kryeministri thotë se partnerët ndërkombëtarë i kanë hequr vizën opozitës dhe vetë kjo e fundit po tenton t’i heqë vizën vendit.
Rama tha edhe se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë nga Presidenti i Republikës për organizimin e një tryeze për dialog.
“Presidenti është në hall sa herë ka protesta dhe nuk do të doja kurrë që të isha në vendin e tij dhe për këtë arsye mendoj se përse nuk më ka thirrur asnjëherë për këtë. Unë e mirëkuptoj”, u shpreh ai.
Deklaratave të opozitës se më 30 qershor nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve, Rama iu përgjigj duke rikujtuar Kodin Penal për ndjekësit e opozitës në këtë aksion të saj.
“Kodi Penal është i qartë dhe është shkruar bashkë me PD dhe është një nga produktet me solide të konsensusit politik. Por, po ua them prapw dhe këtë herë t’ua them atyre, o fatkeq që merrni në sy edhe ndalimin nga policia edhe ndëshkimin me heqje lirie për të hedhur molotov për llogari të Saliut, Lulit, të fallxhores të të tjerëve me radhë a e kuptoni se ça bëni apo jo? Qoftë edhe duke i parë, pa i dëgjuar dhe duke i parë në fytyrë mendoni se ato fytyra janë fytyrat e njerëzve që mendojnë një sekond për ju? Vërtet e mendoni këtë? Trami i Tiranës jeni ju?”, vijoi Rama.
Kryeministri tha se nga protesta e së shtunës në mbrëmje ka dalë me dy përfundime.
“Së pari me vendosmëri për të mos lejuar një grupim të udhëhequr nga verbëria e dëshpërimit të influencojë më shumë se ç’duhet në mënyrën tonë të jetuarit të jetës së përditshme. Së dyti, dua që të shpreh solidaritetin më të madh dhe respektin më të thellë për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e policisë së shtetit. Besoj që në të gjithë këto protesta, policia ka treguar një profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje për t’u admiruar dhe kanë vendosur një standard krejt të ri për historikun e uniformave blu pas rënies së komunizmit si dhe kanë fituar me të drejtë admirimin e të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi”, shtoi ai.
Rama u kthye pas në kohë për të ilustruar sipas tij, dy standardet e Policisë së Shtetit.
“Për shkak të histerisë me të cilën organizatorët dhe disa media trajtuan incidentin, e quaj incident me një nga organizatorët kryesorë të dhunës me detyron t’u kujtoj se kjo godinë përpara pak kohësh, në 2011 nuk u qëllua me asnjë guriçkë dhe jo më me bomba e me zjarr dhe nga kjo godinë u urdhërua vrasja e katër protestuesve të pafajshëm. U urdhërua shkreja e karikatorëve të kallashnikovëve mbi protestuesit, jo me armë po me asnjë shishe benzinë. I plagosën mbi 40 persona me plumba dhe pastaj u turr e gjithë trupa e keqpërdorur politikisht e FNSH dhe arriti të futet deri tek kulla përballë, nëpër kate duke masakruar kë i doli përpara. Mbi 130 persona të dëmtuar fizikisht nga dhuna krejt e panevojshme në kushtet kur protesta kishte përfunduar”, vijoi ai.
Mënyrën e arrestimit të Sait Dollapit e cilësoi të nxituar dhe një incident të vogël teknik dhe etik të sjelljes së saj, por që justifikohet përballë 7 orëve dhunë, sipas tij, ndaj saj. Kryeministri këmbëngul se nuk bëhet fjalë për një lëvizje popullore, por lëvizje e një grupimi të dalë jashtë kontrollit për të minuar reformën në drejtësi dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Kokat e tyre nuk e kanë dashur, nuk e duan dhe nuk do ta duan reformën në drejtësi në realitetin e zbatimit të saj sepse i tremben asaj. Në mënyrën më dritëshkurtër mendojnë se duke bllokuar integrimin europian, hapjen e negociatave do të fitojnë”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë tha se i kundërt do të jetë rezultati dhe opozita jo vetëm që nuk do të fitojë, por do të humbasë edhe më shumë nga mbështetja e pakicës, sipas tij, që ka aktualisht. Kryeministri thotë se e vetmja që humbi nga pamjet e së shtunës në mbrëmje është Shqipëria dhe qytetarët e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje