Politike

Alibeaj: Kemi prova, Lleshaj komandoi operacionin kundër opozitës

Partia Demokratike ka dënuar ashpër atë që e quan “dhunë kriminale të policisë kundër protestuesve” të shtunën dhe kundër sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj në një dalje për mediat tha se Sandër Lleshaj dhe çdo bandit me uniformë, të cilët dhunuan qytetarët të shtunën do të mbajnë përgjegjësi personale.
“Partia Demokratike disponon të dhëna të mjaftueshme për ta çuar sadistin Sandër Lleshajn para drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit të policisë së shtetit!”, u shpreh Alibeaj.
Ai deklaroi se Prokuroria duhet të nisë sa më parë hetimet për dhunimin e qytetarëve dhe për përdorimin e gazit, që sipas tij, kishte përmbajtje helmuese. Sipas Alibeajt, dhuna ndaj protestuesve ishte porosi e kryeministrit Edi Rama.
“Prokuroria duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të provuar se urdhri për dhunën shtazarake kundër qytetarëve është dhënë nga Sandër Lleshaj me porosi të Edi Ramës. Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe krimineli tjetër me uniformë Arben Baro duhet të shkarkohen nga detyra dhe të hetohen menjëherë. Ka prova filmike se Sandër Lleshaj, i cili në shkelje të ligjit komandon operacionet e policisë kundër opozitës, është duke u larguar si hajdut nga dera dytësore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi njoftohet të shtunën në mbrëmje për zhvendosjen e protestës së opozitës”, tha ndër të tjera Alibeaj.
Ai theksoi se përpos dhunës shqiptarët e bashkuar nuk gjunjëzohen dhe do t’i japin fund qeverisë së krimit.

“Ne jemi sot në krah të popullit për t’i thënë Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që ka vendosur të ndjekë rrugën e dhunës dhe të destabilitetit, se shqiptarët e bashkuar dhe opozita nuk gjunjëzohen përpara dhunës shtazarake të një qeverie që ka ardhur në pushtet me votat e blera me krimin e organizuar”, përfundoi Alibeaj.

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka ftuar të gjithë qytetarët të mblidhen sot për t’i treguar kryeministrit se populli e ka marrë vendimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë