Futboll

E mbylli sezonin me dy trofe, Bajerni konfirmon trajnerin Niko Kovaç

Bajern Mynih ka fituar edhe Kupën e Gjermanisë, pas titullit kampion në Bundesligë. Një javë mjaft e suksesshme për bavarezët, të cilët shtuan në palmaresin e tyre dy trofe të tjerë të rëndësishëm, duke bërë që drejtuesit e klubit të konfirmojnë në stol trajnerin kroat Niko Kovaç.

Bajerni fitoi bindshëm në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Lajpcigut, me rezultatin 3-0, falë dygolëshit të Robert Levandovskit dhe një goli të Kingsli Koman. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe dy legjendat Arjen Roben dhe Frenk Riberi, për herë të fundit me fanellën e ekipit bavarez, pasi sezonin e ardhshëm nuk do të jenë më pjesë e tij. Bajerni e fiton për herë të 19-të në histori Kupën e Gjermanisë, herën e fundit e kishte fituar në vitin 2016. Në finale nuk u pa një Bajern taktik në fushë, por një ekip që luajti me ritëm të lartë dhe që nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren. Vetëm në një rast portieri Nojer bëri një ndërhyrje spektakolare, duke shmangur golin me reflekset e tij të jashtëzakonshme, pas gjuajtjes me kokë të Poulsen.

Levandovski shënon në portën e Lajpcigut në finalen e Kupës

Sulmuesi polak, Levandovski, zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, ndërsa Koman dhe Gnabri iu afruan golit të dytë më pas. Koman dyfishoi 12 minuta para fundit të ndeshjes, ndërsa Levandovski shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Bajernin, duke kompletuar fitoren e bavarezëve. Festë për Bajernin në Berlin, ku trajneri Niko Kovaç ka marrë frymë lirisht jo vetëm për trofeun e dytë të fituar, por edhe për konfirmimin në stolin e bavarezëve. Drejtuesit e klubit janë shprehur qartë se do të vazhdojnë me këtë trajner në stol edhe sezonin e ardhshëm. Kohët e fundit ka pasur zëra për largimin e Kovaç nga Bajerni, por tashmë situata është e qartë, kroati do të vazhdojë të drejtojë ekipin gjerman, pas dy trofeve të fituar në sezonin e parë në stolin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë