Futboll

Konte prezantohet brenda javës, Leonardo lë Milanin për PSG-në

Lëvizje të rëndësishme priten këtë javë në dy klubet e Milanos. Në gjysmën e parë të javës drejtuesit e Interit do të zyrtarizojnë shkarkimin e Luçiano Spaletit, ndërsa në gjysmën e dytë do të zyrtarizohet ardhja e Antoanio Kontes, i cili pas firmës do të udhëtojë drejt Kinës për t’u takuar me presidentin Zhang. Te Milani, lëvizja e parë pritet të jetë largimi i drejtorit të sektorit teknik Leonardo, që nuk i ka punët mirë me Gazidis dhe është gati të kthehet në Francë, te PSG-ja.

Pasi mundi mes drithërimash Empolin në javën e fundit të Serisë A, Interi festoi pjesëmarrjen në Champions League. Festa nisi në dhomat e zhveshjes, ku shkoi edhe presidenti Zhang, i cili bisedoi me trajnerin Spaleti. Më pas, gjatë festës së madhe në “Terrazza Martini”, presidenti i Interit premtoi më të mirën për ngjyrat zikaltër. Futbollistët janë lënë të lirë aktualisht, ndërsa për drejtuesit e klubit ka nisur faza më e nxehtë e punës për trajnerin e ri dhe merkaton. Brenda javës do të bëhet ndryshimi në stol. Spaleti tha se do t’i pëlqente të qëndronte, duke konfirmuar se pret lajmin e shkarkimit nga klubi. Ky është hapi i parë formal para emërimit të Antonio Kontes, me të cilin është arritur akordi prej kohësh.

Interi, duke festuar për vendin e katërt, që e çon në Champions

Pasi të mbyllet çështja e trajnerit, drejtuesit e Interit do të hidhen në sulm për përforcimin e skuadrës. Bisedimet kanë nisur kohët e fundit me disa lojtarë, ndërsa për disa të tjerë është e nevojshme të merret edhe mendimi i trajnerit të ri. Drejtuesit zikaltër kanë shumë për të bërë si për lojtarët që duan të afrojnë, ashtu edhe për ata që pritet të largohen, sepse janë disa emra big që do të lënë Interin në verë, me në krye Ikardin dhe Perisiçin. Trajneri Konte ua ka bërë të ditur drejtuesve të Interit listën me emrat e lojtarëve që kërkon të ketë në skuadër, mes tyre edhe Granit Xhaka.

Te Milani situata është pak më ndryshe. Trajneri Gatuzo është në pritje të vendimit të klubit dhe ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me të. Leonardo pritet të japë dorëheqjen shumë shpejt, ndërkohë që edhe Maldini është i rrezikuar. Braziliani ka përplasje me administratorin e përgjithshëm Ivan Gazidis për çështje të ndryshme dhe dorëheqja është çështje orësh. Leonardo e ka derën të hapur te PSG-ja dhe me siguri do të kthehet në Francë. Pas largimit të tij janë këndvështrimet e ndryshme me Gazidis për strategjinë e merkatos, ku braziliani është refuzuar për afrimin e Ibrahimoviç dhe Fabregas te Milani. Mbetet të shihet çfarë do të ndodhë me Paolo Maldinin, i cili u afrua në klubin kuqezi pas ftesës së Leonardos.

Leonardo dhe Gazidis

Leonardo erdhi te Milani korrikun e kaluar, kur u kërkua nga pronarët e rinj, pas erës kineze. Në merkato ai solli te kuqezinjtë dyshen Higuain-Kaldara dhe më pas Bakajokon, Kastilejon dhe Laksalt. Në janar afroi sulmuesin Piatek dhe mesfushorin Paketa, që ia ndryshuan fytyrën Milanit, por pa e çuar në vend të katërt. Tani Gazidis po punon për një Milan të ri, që kërkon kohë dhe mbështetje ekonomike, por Leonardo nuk është dakord me këtë strategji, duke gjykuar se pa blerje me eksperiencë, rikthimi në nivele të larta është i pamundur ose kërkon një kohë shumë të gjatë. Për këtë arsye ai do të largohet, për të kaluar te PSG-ja, ku do të marrë vendin e Antero Henrikes, ndërsa vendin e brazilianit te Milani pritet ta marrë portugezi Kampos, që vjen nga Lila. Në fakt, me projektin e Gazidis nuk janë aspak dakord as tifozët e Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë