Aston Vila kthehet në Premier League, pas fitores 2-1 në finale ndaj Derbit. Xhon Terri fiton sfidën me ish-shokun e ekipit te Çelsi dhe Anglia, Frenk Lampard. El Ghazi dhe MekGin shënuan për ekipin e Aston Vilës, Uagorn ishte autori i golit të nderit për Derbin.
Finalja e “play-off”-it të Championship ishte pa fat për Frenk Lampard, trajnerin e Derbit, që humbi 2-1 ndaj Aston Vilës së Xhon Territ, aktualisht zëvendëstrajner i kësaj skuadre. Atmosfera në “Wembley” ishte e njëjtë me një finale kupe, pasi luanin dy skuadra historike: më shumë se 85 mijë spektatorë dhe një shpërblim i çmendur prej 200 milionë eurosh për ekipin fitues. Një shumë mjaft e lartë, ku llogariten e drejta televizive dhe shpërblimi për ngjitjen në Premier. Derbi, që nuk nisej favorit në këtë ndeshje, më shumë është mbrojtur, kurse Aston Vila vuajti për të gjetur hapësira, por talenti i El Ghazit, Abraham dhe Grealish mbi të gjithë, bënë që ekipi nga Birmingemi të shënonte dy here para syve të princit Uilliam, i pranishëm në stadium. Në fundin e pjesës së parë zhbllokoi rezultatin El Ghazi. Në fillimin e pjesës së dytë, arbitri Tiernei shpëtoi ekipin e Lampard nga goli i dytë, duke vërshëllyer për një faull në favor të Abraham dhe duke mos lejuar avantazhin. Protesta nga Aston Vila, por goli i dytë vetëm sa ishte shtyrë pak minuta, sepse MekGin përfitoi nga dalja e gabuar e portierit Ros dhe dyfishoi.

Derbi nuk u dorëzua dhe u hodh në sulm. Trajneri Lampard bëri zëvendësimet dhe njëri nga lojtarët e futur në fushë, Uagorn, shkurtoi diferencën në 2-1. Ishte goli i parë që Derbi i shënonte Aston Vilës në tri ndeshje të luajtura mes tyre në këtë sezon. Aston Vila vuajti jo pak në fund, ndërsa vërshëllima e trefishtë e arbitrit pas 7 minutash shtesë bëri që gjysma e stadiumit “Wembley” të shpërthente në festë. Aston Vila u kthye në Premier League pas tre vitesh vuajtje në Championship.

Personazh u bë pas kësaj ndeshjeje kapiteni i Aston Vilës, Xhek Grealish, edhe pse ai nuk shënoi gol. Vëmendjen e morën këpucët e tij, që ishin të grisura dhe dukeshin si këpucët e një leckamani. Disa herë u inkuadruan nga kamera, kurse fotografët i kishin këpucët e Grelish në fokusin e tyre. Për të shuar kureshtjen e të gjithëve ka folur vetë kapiteni i Aston Vilës, i cili u shpreh se ishte i bindur se ato këpucë do t’i sillnin fat: “Kam ardhur nga një dëmtim i gjatë dhe me ato këpucë kam shënuar disa gola dhe kam dhënë edhe pasime për gol. Mendoj se ato janë këpucët e mia fatsjellëse dhe vendosa t’i vesh edhe në këtë ndeshje”, – tha Grealish. Dhe vërtet ishin këpucët me fat.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje