Futboll

Një çmenduri ende e pashpjeguar, 34 vjet nga tragjedia e “Heysel”-it

Më 29 maj të 1985-ës, para finales së Kupës së Kampionëve mes Juventusit dhe Liverpulit, vdiqën 39 persona në stadiumin e Brukselit. Dy klubet e kanë kujtuar këtë ngjarje të rëndë në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ish-trajneri i njohur, Xhovani Trapatoni, ka shkruar se është esenciale që ai incident i dhimbshëm të kujtohet përgjithmonë.

Nga tragjedia e “Heysel”-it, ku humbën jetën 39 persona

Plot 34 vite më parë, futbolli europian vajtonte për ndarjen tragjike nga jeta të 39 personave në stadiumin “Heysel” të Brukselit. Ndodhi në një mbrëmje të paharrueshme dhe të tmerrshme, para finales së Kupës së Kampionëve, Juventus-Liverpul. Juventusi e ka kujtuar ngjarjen në faqen zyrtare, duke shkruar: “Një nga tragjeditë më të tmerrshme që kanë goditur botën e sportit. Bashkohemi me dhimbjen e familjeve të 39 personave që ndërruan jetë në “Heysel”, viktima të pafajshme të një çmendurie pa një shpjegim. Në atë 29 maj 1985 të mallkuar, një moment absolut feste sportive si finalja e Kupës së Kampionëve, u transformua në një makth, që ka lënë shenjë gjithmonë në historinë tonë dhe të atyre 39 familjeve, që në këtë ditë u shkon përqafimi ynë. Nga ai 29 maj 1985 i mallkuar, kujtimi i 39 viktimave nuk ka reshtur kurrë së jetuari në zemrat tona”.

Në stolin e Juventusit ishte Xhovani Trapatoni, i cili në profilin e tij në Tuiter ka postuar një foto me emrat e 39 viktimave, duke shkruar: “Nuk mund të kthehesh pas në kohë, ndaj për këtë është esenciale t’i kujtosh gjithmonë”.

Postimi i ish-trajnerit të Juventusit, Xhovani Trapatoni

Atë mbrëmje, në stadiumin e “Heysel”-it, tifozët e Liverpulit nisën të shtyheshin një orë para fillimit të ndeshjes drejt sektorit Z, që ishte plot me tifozë italianë, duke çarë rrjetat ndarëse. Tifozët juventinë dhe jo vetëm, u detyruan të ngjisheshin drejt murit të këtij sektori. Dhe ky mur, për shkak të peshës së madhe, u shemb dhe zuri nën vete shumë persona. Një tragjedi, që u kushtoi jetën 39 personave, 32 nga të cilët italianë. Më shumë se 600 të plagosur.

Mëngjesin e sotëm edhe klubi i Torinos iu bashkua homazheve për këtë ngjarje. Në një postim në Tuiter, klubi “granata” shkruante: “Memoria është thesar dhe ruan gjithçka”, duke publikuar edhe foton e lapidarit, që kujton viktimat e “Heysel”-it. Një kujtim mallëngjyes edhe nga klubi i Liverpulit, që ka çuar buqeta me lule në nderim të viktimave. “Sot është një ditë e rëndësishme, kujtojmë tragjedinë e “Heysel”-it, që nuk harrohet kurrë, – shpjegon Susan Black, përgjegjëse komunikimi e klubit të Liverpulit. – Do të jenë gjithmonë në mendjen e të gjithëve atyre që bëjnë tifo për Liverpulin dhe do t’i kujtojmë gjithmonë ata që kanë humbur jetën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë