Futboll

Zyrtare/ Interi shkarkon Luçiano Spaletin, fillon era “Konte”

Ishte thjesht një formalitet, tani është zyrtare: Luçiano Spaleti nuk është më trajner i Interit. Shkarkimi i trajnerit toskan, që e ka çuar ekipin zikaltër dy herë në Champions League, është zyrtarizuar me një njoftim në faqen e klubit italian, ku shkruhet: “FC Inter bën me dije se Luçiano Spaleti nuk është më trajner i skuadrës së parë. Klubi e falënderon trajnerin për punën e kryer dhe për rrugëtimin e bërë së bashku”.

Tashmë mund të thuhet se tek Interi ka nisur zyrtarisht era “Konte”. Ish-trajneri i Juventusit dhe Çelsit ka firmosur një kontratë 3-vjeçare për 9 milionë euro plus bonuset në sezon. Emërimi i tij në krye të stolit zikaltër do të zyrtarizohet nesër, kurse të shtunën në mbrëmje, bashkë me drejtuesit e klubit, presidentin Steven Zhang dhe Bepe Marotën, do të jetë në Madrid për të ndjekur finalen e Championsit midis Liverpulit dhe Totenhemit.

Trajneri Luçiano Spaleti, i shkarkuar tashmë nga Interi

Spaleti ka pohuar se do të kalojë disa ditë pranë familjes në Toskana. Ai është lajmëruar për shkarkimin në telefon nga Marota, por duket se ndarja mes palëve nuk është ajo më e mira. Trajneri Spaleti kishte kontratë me Interin deri në vitin 2021 dhe është dukur shumë i zhgënjyer për mënyrën si përfundoi “martesa” me këtë ekip. Ai i ka drejtuar zikaltrit në 90 ndeshje në 2 sezone. Marota do të presë për momentin, para se të ulet në tavolinë me ish-trajnerin për të diskutuar disa detaje të tjera, sepse Spaleti do të kërkojë të paguhet ende nga klubi nga Milano.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë