Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duket se ka mbetur mjaft i kënaqur nga takimi në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila duket se ka dhënë “fjalën” për përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave,
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj bën të ditur se ai dhe Merkel kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe për marrëdheniet bileaterale mes Kosovës e Serbisë, Ashtu si edhe ishte paralajmëruar, Haradinaj shkruan se Merkel i tha “po” liberalizmit të vizave me Kosovën.
“Falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë ‘PO’ heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
“Nuk është se procesi do përmbyllet menjëherë, do të na duhet shumë punë pasi situata është komplikur pak. Duhet të bëjmë kujdes që të gjejmë një mënyrë që të hyjmë në agjendë, e drejta na është njohur dhe tani duhet të na jepet përkrahja për të hyrë në vendimmarrje, nuk bëhet fjalë për javë, duket të presim dy tre muaj deri te vendimi të miratohet”, tha kryeministri.
Haradinaj ka bërë po ashtu të ditur se ndër temat qendrore të takimit me kancelaren gjermane ka qenë edhe marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi, për të cilët të dy liderët duket se kanë rënë dakort se duhet të arrihet brenda kufijve ekzistues.

“Sa i përket dialogut me Serbinë theksova se ne jemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues. Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, shkruan Haradinaj.
Ai thotë se pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, pozicioni i Kosovës është shumë më i fortë. Kryeministri njofton se ka diskutuar me Merkelin për taksën ndaj importeve serbe, por thekson se nuk i është kërkuar heqja dhe se ky vendim do të mbetet në fuqi.
“Temat kryesore ishin e drejta jonë për të lëvizur lirshëm. Po ashtu edhe dialogu Kosovë-Serbi. Jemi seriozisht të interesuar për dialog, por taksa nuk hiqet. Nuk është kërkuar heqja. Është biseduar për të në kontekstin e dialogut, por ajo nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se kërkesa e tij e hapur në Berlin ka qenë që kancelarja gjermane, Angela Merkel ta ketë vazhdimisht në agjendë Kosovën.
“Kosova e meriton rrugën euroatlantike. Proceset e integrimit euroatlantik janë në një nivel më të mirë, sesa para këtij takimi. Kosova është në një pozicion më të fortë, se sa para një ore. Kam falënderuar Gjermaninë sepse ka bërë punë të mirë për liberalizimin e vizave”, ka shtuar Haradinaj. “Tani Duhet të punojmë që çështja e vizave të futet në agjendën e Këshillit Europian.
Sa i përket takimit të Parisit, Haradinaj thotë se atje do të shkojnë për njohjen pa kushte, pasi vetëm kjo çështje është mund të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në Paris do të paraqesim një kërkesë për një marrëveshje për njohjen reciproke”, tha ai. Haradinaj ka folur edhe për përfshirjen e presidentit Donald Trump në dialog si dhe të kancelares gjermane Angela Merkel e presidentit Emannuel Macron. Kjo sipas tij jep shpresë për një marrëveshje të madhe Kosovë-Serbi.
“Mendoj se ka një mundësi të mirë pas përfshirjes së presidentit Trump, kancelares Merkel e presidentit Macron. Duhet të mbajmë shpresë për një marrëveshje të madhe”, shtoi kryeministri.
Ai ka komentuar edhe idenë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë. “Dialgou ka devijuar nga njohja deri te territoret. Duhet t’i jemi mirënjohës kancelares Merkel e presidentit Macron që kanë kërkuar njohjen e Kosovës në kufijtë ekzistues”, ka përfunduar kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje