Politike

Takimi i fshehtë i Berlinit ndez polemika në Kosovë

Samiti i Parisit u anulua, ndërsa takimi në Berlin i Këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj dhe Presidentit të Serbisë, Vuçiç u interpretua në Prishtinë si një takim i fshehtë. Kanë mjaftuar këto dy ngjarje për të pasur reagime të shumta nga politika kosovare. Vetë kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur se nuk ka asnjë informacion përsa i përket anulimit të samitit të Parisit.

Aleksander Vuçiç

Ndërkohë që Vuçiç e lidh këtë fakt me refuzimin e shtetit kosovar për të hequr taksën ndaj Serbisë. Në deklaratën e tij për media, ai është shprehur se nuk do të ketë takime, pasi shtetet evropiane tashmë e kanë kuptuar se kush po i frenon bisedimet.
Pas kësaj ngjarje, ndodhi një takim tjetër që rezultoi i pakëndshëm. Mediat kosovare njoftuan një takim mes Avni Arifit ish-udhëheqës i dialogut teknik dhe Marko Gjuriqit shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Më pas kryeministri Haradinaj e konfirmoi këtë takim duke thënë së është mirë të qartësohet, çfarë ka mbetur pa u zgjidhur. Sipas tij, takimi i të dy palëve ka konfirmuar se e vetmja çështje e cila ka mbetur pa zgjidhje është njohja.
“Është sqaruar shumë mirë se çka mundet me pas zgjidhje. Takimi ishte formal, jo publik. Delegacionit e dy palëve janë taku. Nikoqirë ka qenë Zyra e Kancelares gjermane. Partnerët e koalicionit kanë qenë paraprakisht të njoftuar. Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk ka qenë fare pjesë e bisedave,” është shprehur Haradnaj.
Një ngjarje tillë, ka shqetësuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaci. Ai deklaroi për mediat se takime të tilla nuk ndihmojnë në dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar edhe faktin se zyra e presidentit ende nuk ka marrë një informacion për çfarë është folur në takimin e këshilltarëve.

Hashim Thaçi

Gjithashtu, reagimet nuk kanë munguar dhe nga grupet politike të opozitës. Për Lëvizjen Demokratike të Kosovës ky takim është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshme. Në deklaratën publike të partisë thuhet gjithashtu se; “Veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të presë Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi”

Ndërsa, Partia Vetëvendosja ka cilësuar se kjo është një vazhdimësi e procesit ndërkombëtar, duke fajësuar kryeministrin Haradinaj, për sa i përket faktit që sapo u bë kryeministër në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thacit, duke stimuluar një projekt të vetëm antikombëtar që sipas partisë Vetëvendosja është “copëtimi i Kosovës”
“Ky kryeministër, i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica” bashkësia e komunave me shumicë serbe”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.

Shpend Ahmeti

Në vijimësinë e reagimeve që ka shkaktuar takimi i këshilltareve, Shpend Ahmeti një ndër anëtarët e ekipit negociator të Kosovës, është shprehur se ky takim është shumë i dëmshëm, jo vetëm për zhvillimet politike në Kosovë, por edhe për dialogun me Serbinë. Gjithashtu, në deklaratën e tij ai kujton se një muaj më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën shtetërore për Dialogun, e cila përcakton se nuk ka dialog teknik e politik, e aq më pak të njëjtin dialog që dy shtetet kanë pasur deri tani.
“Ky takim dhe temat eventuale që qenkan diskutuar në të, janë në kundërshtim të plotë me parimet udhërrëfyese të Platformës,” ka shtuar Ahmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë