Qeveria shkarkoi kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila pas sulmit ndaj KZAZ-së numër gjashtë të vendosur në fshatin Bushat, territor i kësaj bashkie. Lajmin e dha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Në një dalje para mediave, Lleshaj tha se sulmi i së enjtes ishte kulmi i një serie shkeljesh në Bashkinë e Vaut të Dejës ku protagonist tha se ka qenë edhe kryebashkiaku, Zef Hila.
“Për shkak të një seri shkeljesh të rënda të detyrës dhe të ligjit, që kulmuan mbrëme me sulmin, kryetari i kësaj bashkie do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm”, deklaroi Lleshaj.
Pak pas kësaj deklarate të Sandër Lleshajt, Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale firmosjen e aktit të shkarkimit të Zef Hilës, ndërsa paralajmëroi se përveç kësaj ai do të ndiqej edhe penalisht.
“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruan Rama.

Ministri i Brendshëm akuzoi udhëheqësit e opozitës për standarde të dyfishta, duke dënuar dhunën në publik dhe në sy të ndërkombëtarëve, por duke e nxitur atë në terren e në degët e partive opozitare.
“Kjo tregon se në çfarë ngjendje të rënduar mendore dhe katandisje të ulët morale janë drejtuesit e revolucionit imagjinar, me orvatje cinike për të luajtur me standarde të dyfishta në komunikimin publik dhe atë ndërkombëtar”, u shpreh ai.
15 persona janë arrestuar për sulmet ndaj KZAZ-së në Vaun e Dejës, mes të cilëve edhe familjarë e të afërm të kryebashkiakut Zef Hila, si dhe punonjës të bashkisë së drejtuar prej tij. Edhe Kryeministri Edi Rama akuzoi nga Himara kryebashkiakun e kësaj bashkie, Zef Hila si nxitës të këtyre veprimeve.
Vetë kryebashkiaku Hila u distancua nga episodet. Ai tha në një prononcim për Report Tv. se nuk ka gisht tek sulmet dhe dënoi aktet e dhunës, megjithëse mes të arrestuarve ishte edhe i vëllai i tij.
“Protesta e djeshme nuk është organizuar nga Bashkia e Vaut të Dejës, por nga Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë e Vaut të Dejës. Unë e them me përgjegjësi të plotë se nuk jam marrë me oganizim të protestës. Porositë kanë qenë që protestat të jenë të qeta dhe paqësore. Unë jam kryetar i bashkisë, i zgjedhur. Nuk kam qenë pjesë e protestës. Të gjithë ata kanë protestuar si qytetarë të lirë. Ata kanë të drejtën e tyre, aq më tepër kemi një dekret të Presidentit dhe çdo njeri ka të drejtën e tij. Të gjitha kanë qenë jashtë orarit të punës. Ministri është disinformuar në raport me kryetarin e bashkisë”, tha Hila.
Pak ditë më parë gjatë një takimi me banorë të bashkisë, Hila premtonte se më 30 qershor në Vaun e Dejës nuk do të mbaheshin zgjedhje vendore.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar Kodin Penal kryebashkiakëve të opozitës, përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në rrjetet sociale.
“Çdo kryebashkiak që merret me brava shkollash të caktuara si qendra votimi, në përpjekjen harbute dhe qesharake, për të penguar zgjedhjet me dyer të mbyllura me çelësa marrëzie, bën mirë të lexojë Kodin Penal për krimet zgjedhore e të heqë dorë sa pa rënë në dorën e drejtësisë. Askush tjetër përveç katër të marrëve që i udhëheqin, s’u ka faj kryebashkiakëve të opozitës për largimin nga gara zgjedhore, ndaj ata le të merren me hapjen e dyerve të partive përkatëse, jo të marrin në qafë veten e punonjësit e tyre, duke u kthyer në të pandehur për dyert e QV”, shkruan Rama.
Por, kur mund të shkarkohet një kryebashkiak? Ligji i 2015 për vetëqeverisjen vendore e përcakton se kryetarët e bashkive mund të shkarkohem me vendim të Qeverisë në tre raste. Së pari kur kryen shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, kur dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale dhe në fund kur mbërrin si propozim shkarkimi nga ana e Këshillit Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore.
Por, Partia Demokratike e përjashton veten nga skenarët e dhunës dhe thotë se dhuna dhe nxitja e një konflikti civil është skenar i Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt.
“Ju që banoni në bashkitë e drejtuara nga opozita dhe ju që banoni në bashkitë e drejtuara nga organizata kriminale që drejton sot vendin. Edi Rama po përpiqet të na përçajë dhe të na vendosë kundër njeri tjetrit. Shpresa e tij e vetme për të mbajtur pushtetin kriminal qëndron tek dhuna, tek konflikti, tek përplasja civile. Me këtë skenar, të dalë nga sirtarët e Sigurimit të Shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj kanë vënë në shenjestër kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, të cilin nuk e thyejnë dot as me votë, as me kërcënimin e banditëve të tij me dhe pa unifromë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi.
Por, kur mund të shkarkohet një kryebashkiak? Ligji i 2015 për vetëqeverisjen vendore e përcakton se kryetarët e bashkive mund të shkarkohem me vendim të Qeverisë në tre raste. Së pari kur kryen shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, kur dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale dhe në fund kur mbërrin si propozim shkarkimi nga ana e Këshillit Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore.

PD thotë se asnjë mbështetës i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës
Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës, ndërsa shkarkimin e Zef Hilës e cilëson antikushtetues dhe qesharak.
“Zef Hila është në krye të detyrës, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Aktet e pavlefshme të kryeministrit mik të kriminelëve më të rrezikshëm të vendit, janë tentatva të dështuara që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri. Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ata që duhet të përballen me drejtësinë janë Edi Rama, Sandër Lleshaj, që e kanë futur vendin në një proces të paligjshëm dhe antikushtetues votimesh moniste”, deklaroi Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje