Partia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, Forza Italia, duket se ka ndërmarrë një nismë parlamentare duke i kërkuar qeverisë italiane të ndërhyntë në mënyrë të menjëhershme për të shmangur përshkallëzimin e krizës politike në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetarja e Dhomës së ulët të Parlamentit italian dhe deputetja e Forza Italia, Mara Carfagna, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se Shqipëria është “në kaos” dhe se Italia duhet të ndërhyjë në mënyrë diplomatike.
“Pak kilometra nga brigjet tona po zhvillohet një krizë serioze politike dhe sociale që nuk duket të ndikojë fare në qeverinë italiane. Në Shqipëri forcat e opozitës po protestojnë duke denoncuar një mungesë barazie në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Përplasja midis partive është kthyer tanimë në një përplasje mes qeverisë së Rama dhe Presidentit të Republikës”, shkruan ajo.
Sipas deputetes së Forza Italia, “nëse Italia dhe Bashkimi Europian nuk ndërhyjnë menjëherë duke e detyruar Shqipërinë të marrë një rrugë plotësisht kushtetuese, vendi rrezikon të zhytet në paralizë institucionale dhe t’i ndërpritet bisedimet e anëtarësimit.
“Kompanitë shqiptare dhe shumë kompani italiane dhe europiane që operojnë në Shqipëri do të dëmtohen seriozisht. Procesi i aplikimit të vendit në BE do të ndërpritet papritmas. Për të mos të përmendur rrezikun e eksodit të mijëra shqiptarëve në Itali. Me Forza Italia ne kemi ngritur një nisme parlamentare që i bën thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Është përgjegjësia jonë politike dhe historike. Presim që kryeministri dhe Ministri i Jashtëm të ndërmarrin veprime të menjëhershme”, shkruan
Ndërhyrja e deputetes së Berluskonit vjen pak ditë pasi, zëvendëskryeministri dhe ministri i brendshëm, Matteo Salvini, foli me presidentin Ilir Meta rreth krizës politike në Shqipëri.
Në një video të postuar në Facebook, ministri Salvini tha se kishte patur një telefonatë me Metën “për të kuptuar se si mund të ndihmonte një vend mik si Shqipëria dhe për të parandaluar përplasjet fizike”.
Salvini foli me tone të ashpra, duke deklaruar se kryeministri i Shqipërisë po bën zgjedhje lokale vetëm me partinë e tij. Sipas ministrit të Brendshëm italian, vendi ynë rrezikon të shkojë drejt përplasjes civile.
“Kam biseduar edhe me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, pasi të dielën Shqipëria rrezikon shumë, sepse është një përplasje që mund të shkojë në një përplasje civile, siç është parë edhe në javët e fundit”, deklaroi ai, duke theksuar se është përpjekur të komunikojë më të gjitha palët në vendin tonë për të evituar trazirat.

“Në vendin fqinj janë duke u mbajtur zgjedhje vendore nga ana e kryeministrit, të cilat janë anuluar nga Presidenti i Republikës. Janë tërhequr partitë e opozitës dhe në to merr pjesë vetëm Partia Socialiste që është në qeveri dhe jam duke kërkuar që të komunikoj me të gjitha palët për të evituar një përplasje sepse Shqipëria është partnere kulturore, ekonomike, komerciale me Italianë. Por jo vetëm, duhet të kujtojmë njerëzit që emigrojnë dhe këtu duhet që të kujtojmë skenat e viteve ’90 dhe nuk do doja që të ktheheshin, pasi kemi mjaft probleme dhe nuk do donim që të shkonim në fronte të tjera”, tha Matteo Salvini gjatë deklaratës së tij.
Në rrugë diplomatike deri më tani ka ndërhyrë vetëm ministrii Jashtëm italian, i cili është shprehur katër ditë më parë se qeveria dhe opozita në Tiranë duhet të shmangin dhunën gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit. Enzo Moavero Milanesi ka biseduar në telefon me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme italiane, Milanesi u ka kërkuar Ramës dhe Bashës të respektojnë “rëndësinë thelbësore për të siguruar në mënyrë absolute respektin ndaj rregullave themelore të demokracisë, dhe sundimit të ligjit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje