Kryeministri Edi Rama u ndal në Vlorë për të përmbyllur fushatën elektorale të pazakontë për zgjedhjet e së dielës. Ai falenderoi vlonjatët për besimin që i kanë dhënë Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj në zgjedhje dhe kërkoi daljen në votimet e së dielës dhe votën pro Dritan Lelit.
Gjatë ditës, Kryeministri postoi në rrjetet sociale disa prej investimeve të kryera në qytetin e Vlorës, që me rikonstruksionin e Poliklinikës së Specialiteve e deri tek hapja e bypass-it të Fierit, që shkurton distancën e Vlorës me Tiranën.
Ashtu si në takimet e tjera të këtij lloji në ditët e mëparshme, Rama u prit në qytetin bregdetar, ku ka dalë edhe deputet, jo vetëm nga mbështetësit. Një grup mbështetësish opozitarë u mblodhën fillimisht para zyrave të degës së Partisë Demokratike në Vlorë dhe nën thirrjet “Rama ik” e “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”, kundërshtuan Kryeministrin.
Pak para nisjes zyrtare të mitingut përmbyllës, Rama shënjestroi me një seri postimesh në Twitter protestuesit dhe drejtuesit e opozitës.
“Ja dhe çeta haxhiqamiliste e Vlorës gati për antimitingun enverist të radhës, “Rama Ik”, ku mungon vetëm Saliu me automatik, Luli me matrapik, Iliri me llastik dhe Fallxhorja me zhapik, po ama turpi i ngrënë me bukë vazhdon sistematik dhe revolucioni është bërë mekanik”, shkruan Kryeministri në postimin që e shoqëron me foto të shkrepur nga grupi i protestuesve të mbledhur para zyrave të PD-së në Vlorë.
Para këtij postimi, Kryeministri iu drejtua Lulzim Bashës duke e akuzuar se ka gënjyer për Martin Hemcen, që kreu i PD-së e ka prezantuar si këshilltar të Angela Merkel, që ka ndihmuar në hartimin e programit ekonomik të PD-së.
“O Artist po ç’bëhet kështu o vëlla, po edhe për atë “kryekëshilltarin e Merkelit” paske gënjyer mor burrë! Për atë Martin Hemcen e kam llafin që CDU thotë tani s’e njohim fare(!), kurse ti na pate thënë se ai bëri programin bombastik ekonomik të PD me porosi direkt nga Merkeli!”, thotë Rama.
Me postimin pasaardhës shënjestron një pjesë të mediave, gazetarëve dhe analistëve.
“Apo thuaj rrena është më e kollajshme se puna e shyqyr që janë http://qimrat.net bahrifallirakipi.lesh me http://krasten.com e me http://andilubonjen.al dhe shit rrena se i ha populli,siç i hëngrën deputetët e kryebashkiakët kur u the Gjermania është me revolucionin”, shkruan Rama.
Paradite, Rama u ndal në Bashkinë e Himarës, ku kërkoi votën për kandidadin socialist, Jorgo Goro, për të vazhduar sipas tij, me projektet dhe transformimin e të gjithë zonës në një destinacion turistik jo vetëm për shqiptarët, por në të gjithë Mesdheun.
Një ditë më parë, Kryeministri u ndal në Fier, ku prezantoi Armando Subashin, ndërsa Vlora është përmbyllja e fushatës dhe që prej orës 00:00 vendi hyn në heshtje zgjedhore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje