Korit të thirrjeve ndërkombëtare kundër dhunës iu bashkua edhe Ambsada Italiane. Përmes një deklarate, kjo ambasadë kërkon që klasa politike të garantojë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe distancim nga aktet e dhunës.
“Çdo veprim i dhunshëm, ose çdo formë nxitjeje për dhunë, në çdo lloj rrethane, janë absolutisht të papranueshme. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese”, thotë deklarata.
Ambasada nënkupton se në lojë nuk janë vetëm zgjedhjet, por i gjithë progresi i bërë nga vendi në rrugën drejt integrimit europian.
“Ambasada e Italisë thekson rëndësinë parësore të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Në mënyrë që vendi të përparojë në këtë rrugë, është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen në një dialog të hapur dhe të sinqertë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të realizuar reformat e nevojshme”, vijon deklarata.
Një prej reformave kyçe, sipas Ambasadës italiane është ajo në drejtësi.
“Në këtë kuadër, Ambasada e Italisë u kërkon të gjitha palëve të mbështesin reformën e drejtësisë në vijim dhe fton të gjitha organet dhe institucionet e përfshira të përshpejtojnë zbatimin e saj, veçanërisht duke garantuar emërime sa me të shpejta, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale. Është gjithashtu e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në realizimin e reformës zgjedhore dhe të respektojnë shtetin e së drejtës, përfshirë këtu edhe luftën ndaj korrupsionit”, deklaron Ambasada Italiane.
Një ditë më parë, Ambasada Italiane në Shqipëri u kërkoi shtetasve të saj rezidentë në Shqipëri, që të bëjnë kujdes këto ditë.
“Në prag të zgjedhjeve të kontestuara vendore të parashikuara për më 30 qershor, sinjalizojmë se mund të ketë momente tensione pranë qendrave të votimit, sidomos por jo vetëm, në zonat në veri të vendit. Këshillojmë që të shmangen zonat pranë godinave partiake dhe godinat ku do të vendosen qendrat e votimit dhe materialet zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje