Futboll

“Boom” në merkato, pse Reali e Bajerni ia lejojnë vetes shpenzimet kolosale!

Blerje të mëdha për Real Madridin, klubin e madh spanjoll dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Shpenzime kolosale në merkaton e verës nga ky klub, që i ka të gjithë mundësitë për të marrë lojtarët më të mirë në botë. Ia lejon vetes jo vetëm nga të ardhurat që gjeneron gjatë vitit, por edhe falë një pozicioni financiar mjaft solid të klubit, me një likuiditet prej 190 milionë eurosh. E njëjta gjë vlen edhe për një tjetër klub të madh europian, Bajern Mynih, ndërsa Barcelona është në vështirësi.

Real Madrid dhe Bajern Mynih kanë bërë përforcime të rëndësishme këtë verë. Po pse mund të shpenzojnë kaq shumë këto dy klube? Nuk mjafton vetëm shpjegimi i arkëtimit vjetor të tyre, kanë të bëjnë edhe parametra të tjerë financiarë, që i bëjnë Realin dhe Bajernin klube të shëndetshëm në këtë aspekt. Deri tani, presidenti i Realit, Florentino Perez, nuk ka kursyer asgjë për të plotësuar dëshirat e trajnerit Zidan: Hazard 100 milionë euro, Joviç 60 milionë, Eder Militao 50 milionë, Mendi 48 milionë, Rodrigo 45 milionë. Një kompensim minimal i këtyre shifrave vjen nga shitja e Kovaçiç për 45 milionë euro dhe Lorentes për 30 milionë euro. Por nuk përfundon me kaq. Reali ia lejon vetes shpenzimet e mëdha jo vetëm se është kthyer në një makineri parash në nivel global, me një arkëtim prej 750 milionë eurosh, më shumë se çdo klub tjetër. Vitet e fundit madrilenët kanë evituar shpenzimet që mund të prishnin bilancin e klubit. Më 30 qershor të vitit 2018 kishte një likuiditet prej 190 milionë eurosh, me një borxh bankar prej 60 milionësh. Një pozicion financiar pozitiv prej më shumë se 100 milionë eurosh.

Luka Joviç, një nga blerjet e Realit këtë verë

Për të bërë një krahasim, më 30 qershor të 2018-ës, rivalët e Barcelonës kishin një likuiditet prej 40 milionësh dhe një borxh bankar prej më shumë se 150 milionë eurosh. Një bilanc gjithmonë në përkeqësim i katalanasve dhe nuk është rastësi që ata duan të bëjnë blerje, pasi të kenë shitur disa lojtarë dhe të shfrytëzojnë shumën që do të arkëtohet prej tyre. Kështu u veprua edhe me Nejmarin, nga shitja e të cilit u mbuluan blerjet e Koutinjos dhe Dembelesë. Këtë verë janë shpenzuar 75 milionë euro për De Jong, por duhet që Barcelona të sakrifikojë të tjerë lojtarë për të marrë Grizman.

Lukas Hernandez, i blerë 80 milionë euro nga Bajern Mynih

Edhe Bajern Mynih, ashtu si Reali, është një klub mjaft solid financiarisht. Në pranverë presidenti Hënes paralajmëroi fushatën më të madhe të investimeve në historinë e klubit gjerman. Dhe 80 milionë eurot e shpenzuara për Lukas Hernandez e vërtetuan deklaratën e tij. Në 30 qershor të 2018-ës, likuiditeti i bavarezëve kapte shifrën 221 milionë euro dhe zero borxhe ndaj bankave. Motoja e drejtuesve të Bajernit është gjithmonë e njëjtë: mos shpenzo më shumë se sa arkëton! Këtë verë ka ardhur momenti për të shpenzuar, madje shumë, sepse Bajerni mund t’ia lejojë vetes, ashtu si Reali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë