Bashkëpunimi i tenistit të njohur me “armikun” i ka trazuar gjakrat e serbëve, duke shkaktuar shumë polemika. Presidenti serb Vuçiç i ka dalë në mbrojtje “Noles”, i cili ka pohuar se do të fitojë me të, ashtu si edhe me Bekerin trajner.
Plagët e së shkuarës janë më të dhimbshmet dhe nuk harrohen lehtë, sepse edhe koha nuk i shëron. Sidomos kur kujtimet lidhen me një luftë, që shkaktoi 20 mijë viktima dhe më shumë se gjysmë milioni refugjatë. Kujtimet e tmerrshme të spastrimit etnik janë ende të gjalla për ata që i kanë parë me sytë e tyre ato ngjarje makabre. Dhe mjafton një zgjedhje e thjeshtë personale që të zgjojë nacionalizmin dhe të kthejë urrejtjen e egër në emër të përkatësisë etnike. Gazeta Si sjell atë që i ka ndodhur së fundit tenistit Novak Gjokiviç. Ai mundi në 4 sete polakun Jurkaz në turin e tretë të Uimbëlldonit, ku është kampion në fuqi, por këtë herë në Serbi ka shpërthyer zemërimi ndaj heroit të tyre.

Cili është faji i “Noles”? Ai ka zgjedhur si trajner Goran Ivanisheviç, i cili është kroat. Konflikti mes dy vendeve, që zgjati 4 vjet, nga 1991-shi në 1995-ën, ishte më barbari në luftrat jugosllave dhe ka lënë gjurmë të thella në ish-republikën socialiste të drejtuar nga Tito. Gjokoviç sigurisht që është nisur vetëm nga aspekti sportiv për të pasur trajner kroatin Ivanisheviç, pa llogaritur reaksionin politik. “Fushat me bar janë të veçanta dhe duan një njohje të mirë edhe për atë që ka fituar shumë si unë. Ai ka fituar trofeun në vitin 2001, e di si duhen luajtur ndeshjet këtu në fushë, por edhe në aspektin mendor e di si duhet vepruar. Tani për tani, bashkëpunimi është vetëm për Uimbëlldonin, por shpresoj të ecim në vazhdën e sukseseve që kam arritur me Bekerin trajner”, – ka thënë Gjokoviç, i cili synon të përmirësohet edhe më shumë. Ky bashkëpunim teknik i tij me trajnerin kroat ka shkaktuar polemika. Gazetat më të afërta pranë qeverisë në Serbi kanë folur për tradhti, duke e konsideruar skandaloze zgjedhjen e tenistit. “Informer”, tabloidi nacinalist serb që ishte në qendër të një skandali ndërkombëtar për një video false të presidentes së Kroacisë, ka publikuar një intervistë të Darko Miliçiç, ku ish-lojtari i NBA-së e ka sulmuar numrin 1 në botë të tenisit me fjalë të ashpra: “Gjokoviç ka shfaqur hapur dashurinë për kroatët dhe nuk ka menduar për ofendimet dhe jetët e humbura nga të afërmit e fansave të tij gjatë luftës”.

Të tjera të përditshme serbe e kanë ndjekur çështjen në fjalë. Në vëmendje është sjellë një intervistë e Ivanisheviç gjatë kohës së luftës, kur ai deklaronte se dëshironte që nga ana tjetër e rrjetës, ndërkohë që ai gjuante topa me 200 në orë, të ishte ndonjë serb që ta godiste. “Nole”, i cili e ka nënën me origjinë kroate, e ka mbrojtur: “Goran është nga Kroacia, unë jam nga Serbia dhe të dy vijmë nga një vend që quhej Jugosllavi. Kur isha i vogël dhe shihja tenis në televizor, u dashurova me një ndeshje të tij ndaj Sampras dhe mbaj mend që të gjithë në qytetin tim ishin me Ivanisheviç. Në moshën 14-vjeçare, kur isha në Akademinë e Niki Piliç (një tjetër kroato), trajneri më vuri të luaja me të. Një muaj më pas fitoi Uimbëlldonin. Për mua është një ëndërr që është realizuar”. A do të mjaftojë kjo deklaratë për të qetësuar shpirtrat, që u trazuan edhe një vit më parë, kur “Nole”, pas eliminimit të Serbisë nga Botërori i Rusisë, tha se bënte tifo për Kroacinë. Për të hequr “helmin” nga polemikat ka ndërhyrë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur: “Është diçka e bukur që Novak ka një raport të mirë me Ivanisheviç, do të thotë se përplasjet e së kaluarës janë kaluar”.

Në fakt, për krenarinë që Gjokoviç ka për rrënjët serbe, nuk ka dyshime. Ai e ka treguar me vepra, që nga Kupa Devis te sulmi ndaj kishës ortodokse, nga akademia e tenisit që ka hapur në Beograd për fëmijët, te fondacioni për të ndihmuar studentët në nevojë të vendit të tij. Ka shumë nga ata që mendojnë se shumë shpejt tenisti i famshëm do të jetë ministër në Serbi. Problemi është që Gjokoviç, i cili e ka provuar vetë terrorin e stërvitjes nën rrezikun e bombave gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, gjithmonë ka “predikuar” miqësi dhe tolerancë. Në tenis, në fakt, në 11 muaj të vitit “bashkëjetojnë” sportistë të qindra kombësive të ndryshme. Për të mbetur te ish-Jugosllavia, boshnjakët Çiliç dhe Dodig mund të fitojnë me pasaportën kroate. E vërteta është se imazhi simbol i luftës mes Serbisë dhe Kroacisë mbetet ai shkelm i Zvonimir Boban ndaj një polici në sfidën e famshme mes Crvena Zvezdës dhe Dinamo Zagreb, më 13 maj të 1990-ës në Beograd. Ishte një shkëndijë e konfliktit dhe duket se ka ardhur ora për ta lënë përfundimisht gjithçka prapa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje