Kreu i opozitës Kyriakos Mitsotakis arriti një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të Greqisë të dielën, duke i dhënë një goditje të ashpër të kryeministrit Aleksis Cipras.
Me më shumë se 99 për qind të votave të numëruara, Partia Demokracia e Re e Mitsotakis ka marrë 39.8 për qind të votave, krahasuar me 31.5 për qind të votave që ka marrë Syriza.
Partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, e themeluar nga përkrahësit e neonazistëve, dështoi të kapte 3 përqindshin e nevojshëm për të hyrë në parlament.
“Kërkova një mandat të fortë për të ndryshuar Greqinë. Ju mna keni ofruar atë bujarisht, “tha Mitsotakis në fjalimin e tij të fitores. “Prej sot fillon një luftë e vështirë por e bukur”.
Ai u zotua të mbajë premtimet e tij për të ulur taksat, për të tërhequr investime dhe për të përmirësuar tregun e punës.
“Grekët meritojnë më mirë dhe ka ardhur koha që ne ta provojmë,” tha ai.
Mitsotakis ishte planifikuar të betohej zyrtarisht si kryeministër të hënën dhe pritej të shpallë kabinetin e tij më vonë gjatë ditës.
Kryeministri Alexis Cipras ka telefonuar kreun e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotaki për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme.
Ai do të dorëzojë postin të hënën, pasi Mitsotakis të betohej si kryeministër i ri. Cipras ka pranuar humbjen e zgjedhjeve pa dalë ende rezultat përfundimtare, duke thënë se kjo ishte një humbje strategjike për partinë e tij.
Duke folur nga kryeministria, Cipras tha se e respektonte vullnetin e popullit grek që votoi për të sjellë Demokracinë e Re për pushtet. Cipras mori përgjegjësinë për humbjen e SYRIZA-s dhe u zotua të shndërrojë atë në një parti të madhe demokratike dhe progresive.
“Sot, me kokën tonë të lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot ne kemi marrë vendime të vështira me një kosto të rëndë politike” tha Cipras.
Kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, e ka politikën greke ne venat e tij.
Babai i tij Konstantinos Mitsotakis ishte kryeministër në fillim të viteve 1990 dhe motra e tij Dora Bakojanis ishte kryebashkiake e Athinës kur qyteti priti Olimpiadën në 2004, përpara se të bëhej ministre e Jashtme. Ishte pikërisht kjo e fundit që nënshkroi paktin e detit me Lulzim Bashën, në kohën kur kreu i opozitës ishte ministër i Jashtëm, marrëveshje që u konsiderua si shkelje e sovranitetin kombëtar nga Gjykata Kushtetuese.
Së bashku me Papandreun dhe familjen konservatore Karamanlis, familja Mitsotakis ka dominuar politikën greke prej vitesh.

Kur partia Demokracia e Re (ND) iku nga pushteti në janar të vitit 2015 nga Syriza, ekspertët e konsideruan si një ndjenjë revolucioni. Lojtarja më e fuqishme në politikën greke ishte zhdukur, e fajësuar për krizën ekonomike grek.
Kyriakos Mitsotakis ishte pjesë e qeverisë së fundit konservatore dhe shërbeu si ministër i Reformës Administrative, duke u detyruar të shkarkonte mijëra nëpunës civil për të përmbushur kushtet e rrepta të ndërkombëtareve.
Ai ishte sipërmarrës kapitalist, i arsimuar në Harvard dhe Stanford në SHBA. I parë si një politikan me qasje mjaft konservatore, Mitsotakis mori kryesimin e Demokracisë së Re në janar 2016, muaj pasi partia u mund brenda viti me dy zgjedhje dhe një referendum.
Ai nisi menjëherënë ofensivën kundër qeverisë së krahut të majtë të Alexis Tsipras.
“Tsipras i dorëzoi të gjitha dhe nuk mori asgjë në këmbim,” deklaroi Mitsotakis pas vendimit të qeverisë për të pranuar një paketë të tretë nga BE, FMN dhe BQE-ja.
Ai përfitoi nga zemërimi popullor pas marrëveshjes së ndryshimit të emrit me Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar kryeministrin për ndarjen e popullsisë së Greqisë.
Fitorja e konservatorëve të opozitës greke në zgjedhjet parlamentare ka hedhur dyshime mbi fatin e marrëveshjejes historike, edhe pse ekspertët dyshojnë se Demokracia e Re mund të bëjë dicka kundër paktit të nënshkruar nga Tsipras dhe Zaev.
Demokracia e Re ka kohë që ka mbajtur një vijë të ashpër për çështjen e fqinjit verior të Greqisë dhe ka shprehur zemërim kur Syriza ra dakord për të hequr bllokadën ndaj ambicieve të Shkupit për anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Po ashtu, në maj, Mitsotakis, ka kërcënuar me veto për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke folur në tubimit e fundit përpara zgjedhjeve lokale në Greqi, kryetari i Demokracisë se Re premtoi se nëse do të fitoje do të vendosë veton për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian” deklaroi ai gjatë një fjalimi në Selanik.
Deklarata e tij vjen ndërkohë qe Shqipëria pret me ankth progres raportin dhe dritën jeshile për negociatat me Bashkimin Europian.
Mediat greke shkruajnë se zhvillimet politike në vendin tonë po monitorohen nga afër nga Athina, e cila sipas tyre kërkon një marrëdhënie produktive me Shqipërinë për ta bërë atë “aleaten” e saj në Bashkim Europian. Por sipas gazetarëve grekë, cështja e pronave të minoritetit grek në Himarë ka shkatërruar këtë klimë bashkëpunimi.
“Vitet e fundit qeveria e Athinës, sidomos nën ministrin e Jashtëm Kotzias, ka investuar shumë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Por megjithatë, një sërë lëvizjesh të ndërmarra nga Rama rënduan klimën politike. Vendimi i Shqipërisë për të marrë tokat e grekëve në Himarë nën pretekstin e transformimit të qytetit, ka provokuar Athinën, ndërsa vetë grekët vërejnë se qëllimi i qeverisë ishte vjedhja e tokave për t’ia dhënë atë miqve dhe mbështetësve personalë të kryeministrit Edi Rama. Kjo është një lëvizje agresive ndaj minoritetit grek që ka prekur marrëdhëniet mes dy vende, të cilat u përkeqësuan më tej me vdekjen e Konstandin Kaçifas më 28 tetor”, shkruan portali grek “NewPost.gr”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje