Mentor Kasa – “Nëse humbasim zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe zgjedhjet lokale, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohëshme”. Ky ishte basti i vënë nga Aleksis Tsipras në muajin maj, në kuadër të fushatës elektorale për testin e dyfishtë, që mbërrinte pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për në vjeshtë.
Basti u humb! Syriza e tij dështoi si në zgjedhjet për PE, ashtu edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor, ku Demokracia e Re e Qirjakos Mitsotaqis fitoi terren ndjeshëm. Përballë kësaj disfate, dy ishin rrugëdaljet e Tsiprasit; të mbante fjalën dhe të deklaronte zgjedhje të parakohshme, edhe pse opozita greke jo vetëm që nuk i kushtëzonte me largimin e tij, por as që i kërkonte me këmbëngulje, ose të “hante turpin me bukë”, të mos mbante premtimin e dhënë dhe të përballej me elektoratin në muajin tetor.
E parë nga Tirana, ku kriza politike po thellohej dita-ditës, lehtësia me të cilën Aleksis Tsipras mori vendimin e parë, pra atë të dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme dukej e habitshme. Që ka një dallim mes kulturës politike e zgjedhore mes Shqipërisë dhe Greqisë dihej, por ai u përforcua më shumë në qershor. Greqia hyri në fushatë elektorale, ndërsa në Shqipëri, krizës politike iu shtua edhe kriza institucionale me ndërhyrjen e Presidentit Ilir Meta.

Dallimi tjetër u vendos nga dita e zgjedhjeve. Shqiptarët votuan më 30 qershor në një proces, ku PS garonte pa rivalë, e që nuk njihet as nga opozita dhe as nga Presidenti, por që vlerësohet si legjitim nga mazhoranca, por edhe nga ndërkombëtarët, megjithëse në raportin paraprak të OSBE/ODIHR nuk u përmend fjala “standard”.
Pas 30 qershorit, Greqia hyri në javën e fundit të fushatës elektorale, ndërsa Shqipëria në javën e përplasjeve se sa ishte pjesëmarrja, e më keq akoma, a patëm zgjedhje apo jo? Mazhoranca fliste për një test votëbesimi popullor që e kishte kaluar me sukses, opozita, megjithëse as nuk mori pjesë dhe as nuk i njeh zgjedhjet, për një refuzim që qytetarët i bënë Edi Ramës, ndërsa Presidenti deklaronte se zgjedhjet ishin më 13 tetor.
Në kakofoninë politike e juridike që vazhdon të “oshëtijë” në veshët e shqiptarëve, grekët votuan më 7 korrik, pa ndonjë zhurmë shqetësuese, as për fqinjët, as për ndërkombëtarët. Pak orë pas këtij procesi u njoh fituesi, e po ashtu edhe humbësi. Humbësi pranoi rezultatin, uroi rivalin politik dhe pa u mbushur 24 orë nga mbyllja e kutive vendosi t’i lirojë zyrën e Kryeministrit.
“Ky ishte vullneti i popullit”, deklaroi Aleksis Tsipras, që i liron vendin Qirjakos Mitsotaqisit. Pra, në harkun kohor të 40 ditëve, Greqia zhvilloi tre palë zgjedhje. Zgjedhjet për PE, ato për pushtetin vendor dhe zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që në Shqipëri, një javë pas një procesi ku votuan gjysma e atyre që kanë votuar në zgjedhjet e kaluara, e ku gara thuajse mungonte, rezultati zyrtar nuk është shpallur ende.

Krahasimi me Greqinë, vend anëtar i Bashkimit Europian që prej vitit 1981 është i tepërt, por kur vjen puna tek standardet zgjedhore dhe transferimi i pushteteve, Shqipëria cedon edhe po të krahasohet me vendet fqinjë, joanëtare të BE-së.
Ka tre dekada që në vendin tonë shkohet në kutitë e votimit. Ky vend ka parë zgjedhje si ato të 1991, të 1992, apo referendumi për Kushtetutën në 1994. Por, ka parë gjithashtu edhe procese zgjedhore si 1996, sipas parimit stalinist “nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”. Shqiptarët votuan sërish një vit më vonë, në një proces ky njëra parti nuk bëri fushatë në gjysmën e vendit.
Më pas u votua në 2001, me skemën e famshme të Dushkut që “prodhonte” deputetë, megjithëse ligjore i jepte pa moral qeverisë së asaj kohe shumicë të rehatshme edhe për një tjetër mandat. Në 2005 problematikat nuk munguan, por ato mund të lexoheshin si minimale, në krahasim me zgjedhjet pararendëse. Rezultati i tyre prodhoi rrotacionin në Qeveri dhe u krijua iluzioni se klasa politike shqiptare kishte arritur një shkallë pjekurie, në mos të uronte kundërshtarin e ta priste atë në zyrë, të paktën të pranonte humbjen.
Iluzioni u përforcua në zgjedhjet vendore të 2007, një proces që ishte epilogu i një krize të ngjashme politike, por që asnjëherë nuk mori përmasat e krizës aktuale, për shkak të uljes së palëve në tryezë dhe gjetjes së një marrëveshjeje që e zhvendosi datën e votimit më 18 shkurt të atij viti. Rezultati i këtyre zgjedhjeve u pranua, megjithëse raporti i OSBE/ODIHR i cilësonte si pjesërisht brenda standardeve.
Për dallim nga 2007, në 2009 kriza nuk shpërtheu para votimit, por pas tij. PS hyri në një grevë urie dhe kërkoi hapjen e kutive, ose largimin e qeverisë së Sali Berishës. Kriza zgjati për muaj me radhë dhe ironikisht mazhoranca e asaj kohe akuzonte opozitën e asaj kohe se po dëmtonte procesin e integrimit, pra e njëjta akuzë që mazhoranca e sotme akuzon opozitën e sotme.

Para zgjedhjeve vendore të 2011 kriza u tejkalua. Standardi i këtij procesi u vulos nga numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara në Bashkinë e Tiranës. Deri para këtij procesi, Edi Rama ishte shpallur fitues në krye të bashkisë me 10 vota diferencë. Numërimi përmbysi rezultatin duke i dhënë fitoren Lulzim Bashës përballë Edi Ramës dhe një formë “kthimi kusuri”, juridikisht të cilësuar si të vlefshme, por e pamoralshme, që PD i bënte PS për skemën e Dushkut në 2001.
Sesi shkuan zgjedhjet e 2013, 2015 dhe të 2017 është më e freskët në kujtesën e shqiptarëve. E përbashkëta është se në të gjitha proceset zgjedhore që kanë prodhuar rrotacion pushteti qendror, Kryeministri që ka lënë zyrën nuk e ka pritur pasardhësin, e për më tepër proceset zgjedhore të vendit kanë rrëshkitur nga kohërat e kundërshtimit të rezultatit të zgjedhjeve, në kundërshtimin e vetë procesit zgjedhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje