Futboll

Dy gola për 4 minuta, Feronikeli i shpëton mrekullisht humbjes në Uells

Feronikeli ishte ekipi i dytë shqiptar që zbriti në fushë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Kampionët e Kosovës patën shumë fat në transfertën e Uellsit me TNS, duke barazuar 2-2. Një rezultat i mirë jashtë fushe, që jep besim për kalimin e turit, pasi do të mjaftonin edhe barazimet 0-0 apo 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kosovë.

Ishte një ndeshje vërtet dramatike për ekipin e drejtuar nga trajneri Zekerija Ramadani, që deri një minutë para fundit të kohës së rregullt humbiste 2-0 dhe i ka shpëtuar mrekullisht humbjes. Uellsianët e zhbllokuan rezultatin me penallti në fillim të pjesës së dytë dhe në minutën e 77-të dyfishuan. Në të 89-tën, Mevlan Zeka shënoi golin e parë për Feronikelin, kurse në minutën e 3-të shtesë kosovarët fituan një penallti, që u shndërrua në gol nga Fasliu. Një rezultat shumë i mirë për këtë skuadër, duke parë mënyrën si shkuan gjërat gjatë ndeshjes.

Feronikeli i shpëtoi humbjes dhe pas Shkëndijës së Tetovës, që fitoi 0-1 në transfertë, regjistron rezultatin e dytë pozitiv për skuadrat shqiptare në kompeticionet europiane. Stafetën e merr tashmë Partizani, që luan në fushën e tij me Karabagun, një kundërshtar shumë më të fortë, por jo të pamundur për t’u kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë