Titulli kampion është harruar, tani radhën e kanë Kupat e Europës, ku Partizani ka një “mur” të madh për të kaluar që në turin e pare të Ligës së Kampionëve. Ndeshet me Karabagun, ekipin kampion të Azerbajxhanit, që ka një buxhet shumëfish më të lartë dhe rrjedhimisht edhe lojtarë me më shumë kualitet. Një “mision” në kufijtë e së pamundurës për të kuqtë, por futbolli është i bukur pikërisht për këtë arsye: jo gjithmonë fiton më i forti.
Ndeshja e parë europiane e Partizanit luhet sot në stadiumin e festës së titullit, në “Selman Stërmasi”, por orari nuk është i përshtashëm. Ndeshja nis në orën 17:30, në temperatura të larta, megjithatë pritet që tifozët e kuq dhe jo vetëm të jenë aty, në mbështetje të Partizanit, që ka pësuar shumë ndryshime nga fundi kampionatit që shkoi. Trajneri Skënder Gega nuk është më, në vend të tij është ulur italiani Franko Lerda. Nga grupi i futbollistëve kampionë janë larguar Atanda, Rexhepi, Hila dhe Hebaj, por së fundi kanë ardhur një dyzinë me të huaj.

Pa dashur të kalojë në aventurë me të ardhurit në ekip ditët e fundit, trajneri Lerda pritet të hedhë në fushë formacionin e Gegës. Kapiteni Hoxha në portë, Ibrahimi, Belica, Trashi dhe Bitri në mbrojtje, me këtë të fundit që merr vendin e Atandës. Telushi, Mala dhe Uilliam Kordeiro në mesfushë dhe Asani, Mensah dhe Çinari në sulm. Në të majtë të mbrojtjes në fakt është provuar edhe Hakaj, i ardhur nga Teuta, por duket shumë e vështirë që Trashi të mbetet jashtë formacionit. Partizani do të mbeshtetet te përvoja e Hoxhas, Belicës, e Telushit, por edhe te shpejtësia e Asanit dhe goditjet e Çinarit.

Një arsye më shumë që të kuqtë të japin maksimumin sot në fushë është se nga tribuna VIP do t’i vëzhgojë trajneri i Kombëtares, Edi Reja. Fokusi i tij do të jetë te lojtarë si Hoxha, Telushi, Trashi, Mala dhe Asani. Ndoshta Reja do t’i sjellë fat edhe bashkombasit të tij në stolin e kuq, trajnerit Lerda. Azerët janë shprehur me modesti në konferencë shtypi si do t’i kënaqte edhe barazimi, por kuptohet që ata do të tentojnë fitoren në Tiranë, që të mos i komplikojnë gjërat. Vitet e fundit kanë pasur sukses në Europë, duke shkuar deri në fazën e grupeve. Partizani është në rolin e sfidantit në këtë ndeshje dhe me ndihmën e tifozëve mund t’i thyejë parashikimet. Sido që të shkojë, Europa i siguron të ardhura të konsiderueshme ekipit të kuq, ndaj dhe presioni nuk do të ndikojë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje