Referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit dhe gjendjen e ekonomisë shqiptare, Lulzim Basha doli para gazetarëve ku raportin e cilësoi si një konfirmim të asaj që opozita e ka parë dhe deklaruar prej kohësh; dramën e gjithanëshme ku ndodhet vendi.
“Drama më e madhe është ekonomia, është gjendja e shqiptarëve. Të dhënat e fundit provojnë atë që kemi parë me sytë tanë, që njerëzit nuk kanë lekë për të blerë bukën e gojës. 31 për qind e familjeve nuk mbyllin dot shpenzimet e bukës mujore”, deklaroi Basha.
Për këtë arsye, Basha thotë se e gjithë vëmendja dhe energjia e opozitës është përqëndruar në formësimin e një projekti ndryshimi, që sipas tij, e mundëson çdo shqiptar, por që kjo të ndodhë ka një kusht.
“Që gjendja ekonomike të ndryshojë duhet të zgjidhim krizën politike dhe kjo mund të zgjidhet vetëm përmes parimeve dhe standardeve perëndimore”, shtoi Basha.
Për të mbërritur tek zgjidhja politike ka një tjetër kusht përpara që duhet plotësuar. Kreu i PD-së përsëriti se ai është ndëshkimi i politikanëve që u kapën duke vjedhur vota dhe rikthimi i sovranitetit tek qytetarët.
“Bashkë me qytetarët këto ditë, këto javë, këta muaj, do t’i japim formë prioritetit të transformimit ekonomik të vendit”, vijoi Basha.
Aktualisht, jashtë parlamentit dhe jashtë institucioneve të tjera, përfshirë ato të pushtetit vendor, opozita ka vetëm “çelësat e kashtës”. Që t’i japë formë këtij prioriteti, siç e quan ai, Bashës i duhet që të vijë në pushtet. Si realizohet kjo, pas muajsh me radhë protestash?
“Aksioni opozitar do të vazhdojë siç ka vazhduar. Fokusi do të vendoset tek përparësitë e njerëzve. Reforma të thella politike, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Beteja ka marrë mbështetjen e mbi 85 për qind të shqiptarëve më 30 qershor”, shtoi kreu i PD.
Basha akuzoi Ramën se ka instaluar regjimin më të korruptuar në Ballkan dhe pikërisht korrupsioni, sipas tij, është arsyeja se përse Kryeministrit i janë mbyllur dyert në Europë.
“Doli nga Poznani me 0 investime. Si mund t’i besohen para një njeriu të provuar si hajdut zgjedhjesh dhe si hajdut i parave publike të shqiptarëve?”, vijoi Basha.
Kreu i PD-së këmbëngul se beteja e opozitës nuk është për pushtet. “Karriget tona ne i kishim dhe i dorëzuam, i sakrifikuam. Nuk jemi për karriget tona në këtë betejë”, mbylli fjalën e tij kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje