Kampionët e Shqipërisë luajnë të enjten ndeshjen e kthimit me Sherif Tiraspolin në Ligën e Europës. Me shumë mundësi, do të jetë ndeshja e fundit për Partizanin në Europë, sepse në “Selman Stërmasi” të kuqtë u mundën 0-1. Përmbysja do të jetë tejet e vështirë, aq më tepër që skuadra e drejtuar nga trajneri Franko Lerda nuk ka mundur ta gjejë rrugën e rrjetës në tri ndeshjet e para europiane.
Edhe më e pamundur bëhet kjo përmbysje, duke parë atmosferën që mbizotëron aktualisht në kampin e kuq. Trajneri italian ka pasur ditët e fundit një zënkë me ndihmësit e tij, Korrado Sakone dhe Dritan Mehmeti. Gjithçka ka ndodhur për një arsye banale, ku i pari i stolit të kuq ka kërkuar të ketë një dhomë zhveshjeje të vetën. Lerda i ka bërë vetë të gjitha punët në stërvitje seancat e fundit, duke u lënë dy ndihmësve të tij një grup shumë të reduktuar lojtarësh. Një konflikt absurd për një ekip kampion, që duket se nuk “jeton” dot pa problemet që po vetë i krijon. Gjithçka vjen për shkak të karakterit të vështirë të trajnerit aktual, i cili, me sa duket, nuk e ka shumë të gjatë në krye të “Demave të kuq”.

Ajo që të habit është se Partizani nuk zë mend nga gabimet e së shkuarës së afërt. Gjatë kësaj periudhe këtë ekip e kanë drejtuar disa trajnerë italianë, me kosto të larta, por Partizani nuk ka bërë “hajër” asnjëherë. U duk se situata u stabilizua sezonin që shkoi me trajnerin Skënder Gega, i cili riktheu titullin te të kuqtë pas 26 vitesh, por nuk ishte e thënë, sepse sërish drejtuesit e kuq iu rikthyen “dashurisë” italiane dhe tani po hasin të njëjtat probleme.
Të mërkurën në mëngjes Partizani do të udhëtojë drejt Moldavisë, por duke lënë pak shpresë për të bërë diçka pozitive në këtë transfertë europiane. Ekipi la për të dëshiruar në fushë në ndeshjen e parë, ndërsa tani hallet janë shtuar. Konflikti i brendshëm në stafin e kuq ka marrë vëmendjen kryesore dhe duket se sërish zgjedhja e një trajneri të huaj është e destinuar të dështojë. Që tani drejtuesit e kuq duket se po mendojnë për pasuesin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje