Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë me gazetarët me një gjuhë më të zbutur në tone, por të përforcuar me ironi e sarkazëm, pak orë pasi një të tillë e kishte mbyllur Kryeministri Edi Rama. Deklaratave të Edi Ramës se Presidenti “ka shqetësime”, Ilir Meta iu përgjigj me hedhjen e një sfide fizike.
“Ilir Meta nuk ka asnjë shqetësim. Është më mirë se kurrë. Nëse kam ndonjë problem shëndetësor unë do shkoja te doktori. Unë nuk kam nevojë për piktura, pasi ai e di që unë kam shumë të tilla në shtëpi dhe apo kam kryer 50 kilometra ecje zbathur në rërë dhe jam gati për të ngjitur majën më të lartë në Shqipëri, majën e Korabit. Nëse ai ka dëshirë që të na bashkohet mund të vijë. E di që ka vështirësi me malet e Tropojës, por me të Dibrës mund të kalojë. Nuk do të largohem nga vendi në gusht se jam gati që t’i shërbej zgjidhjes së krizës politike. I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor.
Më 19 tetor Bashkimi Europian do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave. Në konferencën e tij këtë të martë, Rama e pranoi se gjithçka mund të ndodhë dhe Shqipërisë t’i refuzohet ehde njëherë tjetër hapja e bisedimeve të anëtarësimit. Meta nga ana tjetër duket më i bindur se pa zgjidhjen e krizës aktuale negociatat nuk hapen.
“E thashë dhe po e përsëris, që integrimi nuk realizohet me lobingje dhe me qoka dhe po ua them sërish, për këtë punën e integrimit hajde më pyesni mua të merrni një përgjigje të sinqertë. S’është nevoja të pyesni ambasadorët”, deklaroi Presidenti.
Ashtu si këshilltari i tij për sigurinë, Bahri Shaqiri, Presidenti akuzoi Qeverinë se ka bërë publike dhe manipuluar një letër normale të Presidencës për institucionet shtetërore ku shprehej shqetësimi mbi mundësinë e goditjes së vendit nga një tërmet i përmasave të mëdha. Meta tha se letra ishte një kërkesë drejtuar institucioneve të tjera për informacion mbi gatishmërinë për t’u përballur me një fenomen të tillë. Artikujve në disa media, ku thuhej se Presidenca në rastin më të mirë kishte përkthyer keq sizmiologun grek dhe në rastin më të keq po përhapte panik me vetëdije, Presidenti iu përgjigj me citimin e disa artikujve të mediave online, kryesisht në Greqi.
“Megjithatë, unë nuk kam bërë letër për mediat, por siç duket kanë zgjedhur ta shpërndajë dhe deformojnë”, deklaroi Meta.
Në konferencën e tij, Edi Rama këmbënguli se mazhoranca do të vazhdojë përpara me nismën për shkarkimin e Ilir Metës. Megjithatë, Kryeministri saktësoi se për të qenë më të bindur në këtë nismë kanë dërguar në Komisionin e Venecias kërkesën për marrjen e një mendimi. Por a i trembet Ilir Meta shkarkimit?
“Nuk trembem as nga Komisioni i Venecias, as nga Bienalja e Venecias, të cilën ua kam mbajtur sekret, por e vizitova tani që mora ‘Luanin e Artë’ dhe është diçka frymëzuese. Nuk kam hallin e Venecias, por kam hall që të dalë mbi ujë gjyqi i Bechettit dhe që qeveria ta ftojë atë në apel, se është një faturë e madhe për shqiptarët nëse ka dështim dhe të shikojë të hapë sytë për të gjitha proceset e tjera që janë në gjykatat europiane e ndërkombëtare, sepse janë me kosto të mëdha për të gjithë shqiptarët”, u përgjigj ai.
Meta këmbëngul se 13 tetori është ende në fuqi dhe për këtë kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vihet në lëvizje dhe të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor, ndërsa shprehu edhe njëherë propozimin që po në këtë datë të mbahen zgjedhje edhe për President, edhe për Kuvend.
“Jam 1000 për qind i bindur që zgjedhjet e ligjshme janë ato të 13 tetorit. Procesi duhet të kishte nisur, por e ka bllokuar KQZ se kishte këto numërimet. Mendimi im është që të votohet edhe për Presidentin, edhe për Parlamentin se nuk më duket normal Parlamenti aktual”, vijoi ai.
Për Edi Ramën dhe mazhorancën 13 tetori në kalendar është një e dielë e zakonshme vjeshte, por rezerva ka edhe opozita. Zëra brenda saj thonë se zgjedhjet në këtë datë nuk mund të zhvillohen, pasi nuk premton koha për plotësimin e kushteve që kanë vendosur, ku kryekusht është qeveria tranzitore pa Edi Ramën.
Për opozitën, Presidenti dërgoi një sinjal. “Po të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që të plotësojnë standardet, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse zgjedhje daneze në Shqipëri të mos presim”, tha Meta.
Presidenti nuk e përmendi në emër, por u qëndroi deklaratave të bëra kundër miliarderit George Soros.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje