Futboll

Sapo la futbollin, Arjen Roben i futet notit

Holandezi i njohur, ish-lojtar i Çelsit, Realit dhe Bajernit, i ka dhënë lamtumirën futbollit, por jo sportit. Arjen Roben ka vendosur të ndjekë pasionin për sporte të tjera, duke filluar nga noti.

“Për momentin ndihem mirë dhe duke qenë tifoz i shumë sporteve të tjera, dëshiroj që situata të mos ndryshojë”. Me këtë motiv Arjen Roben bëri të ditur në fillim të korrikut vendimin për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur. Gjatë viteve të fundit ai ka qenë “viktimë” e dëmtimeve të shumta, ndaj dhe ka menduar se është më mirë ta lërë futbollin para se problemet të bëhen kronike për të. Kërkon të përjetojë emocionet e sporteve të tjera edhe si amator, kështu që ka vendosur të marrë pjesë në “Swim Challenge”, një garë noti që organizohet në Groningen. Roben është regjistruar dhe do të notojë në 8 nga 35 kilometrat që parashikon kjo garë.

Arjen Roben me fanellën e Holandës

Do të jenë 170 notarë ata që do të marrin pjesë më 31 gusht në këtë sfidë. Është një garë bamirësie dhe fondet që mblidhen kalojnë për luftën kundër kancerit. Arjen Roben, i cili prej vitesh është ambasador i eventit, këtë herë do të marrë pjesë edhe vetë, edhe pse vetëm në 8 kilometrat e fundit. “Pas disa vitesh që ndjek “Swim Challenge”, jam i lumtur që më në fund do të jem edhe unë pjesëmarrës. Nuk është e thjeshtë të notosh 8 kilometra, nuk jam mësuar ta bëj këtë gjë, por më pëlqen, sepse është një sfidë e bukur”, – ka thënë ish-sulmuesi holandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë